I ftuar në emisionin “Minuta e Parë” në News24, gazetari Almer Toska ka analizuar zhvillimet e fundit dhe tensionet e brendshme në Partisë Socialiste, duke e vënë në shënjestër Elisa Spiropalin për qëndrimet e saj ndaj qeverisë.
Toska e krahasoi pozicionin e saj me një pasqyrë, duke shtuar se ajo mbivlerëson peshën e vet politike dhe nuk ka qenë kurrë një figurë kyçe brenda forcës politike në pushtet.
Sipas tij, reagimet e ish-ministres kanë ardhur me vonesë dhe vetëm pasi janë prekur interesat e saj vetjake. Ai solli në vëmendje periudhat kur qytetarët vuanin nga taksat e larta, bizneset largoheshin dhe mediat sulmoheshin, ndërkohë që ajo heshtte.
“Spiropali mirë që u kujtua të flasë, por u kujtua vonë dhe kur iu prek interesi personal. Kur shqiptarët përplaseshin me qeverinë për taksime të padrejta, kur merrnin çantat dhe iknin, kur mediat e ndryshme sulmoheshin, kur bëhej korrupsion, ajo nuk foli. Tani Spiropali, pasi pati luftë të brendshme në PS dhe u largua nga qeveria, filloi të flasë”, u shpreh Toska.
Gazetari ironizoi gjithashtu kujtesën publike ndaj saj, duke përmendur shprehjen e dikurshme drejtuar kryeministrit Edi Rama dhe jo ndonjë qëndrim parimor ndaj qeverisjes. Ai pretendoi se lëvizja e saj erdhi pas kontrolleve të Tatimeve te biznesi i bashkëshortit, duke ngritur pikëpyetje rreth përfitimeve të familjarëve të saj.
“Bashkëshorti i saj ka përfituar park fotovoltaik në tokë bujqësore. Vëllai i bashkëshortit të saj ka marrë tendera. A ka moral Spiropali që është e përfshirë në afera?”, deklaroi Toska.
Në mbyllje, ai theksoi se beteja e saj aktuale i shërben vetëm ambicieve personale dhe se rrugëtimi i saj politik ka marrë fund.
“Spiropali e ka mbyllur karrierën e saj pa ikur në burg, ndryshe nga Erion Veliaj”, përfundoi gazetari.