Shërbimi sekret britanik MI5 ka lëshuar një paralajmërim të rrallë për mbi 100 studiues të dyshuar se kanë ndihmuar pa dashje strukturat e spiunazhit të Pekinit. Autoritetet kërkojnë ndërprerjen e menjëhershme të lidhjeve me një institut të dyshimtë.
Më shumë se njëqind pedagogë dhe hulumtues nga qendra akademike dhe shkencore në Britani dyshohet se kanë dhënë kontribut, pavetëdijshëm, në iniciativa që lidhen me rrjetet e zbulimit kinez. Kjo situatë ka ardhur përmes një subjekti që agjencia MI5 e vlerëson si të lidhur ngushtë me aparatin e sigurisë së shtetit aziatik.
Në një thirrje publike mjaft specifike, agjencia e kundërzbulimit ka kërkuar nga qarqet universitare dhe kërkimore që të verifikojnë urgjentisht çdo lloj partneriteti me Institutin Kinez për Kërkime të Teknologjisë së Përgjithshme (CGTRI), i njohur ndryshe edhe si CAGT.
Sipas vlerësimeve të MI5, ky entitet gëzon “lidhje shumë të forta” me Ministrinë Kineze të Sigurisë Shtetërore (MSS) dhe ka dhënë fonde për studime në sektorë delikatë, ku përfshihen inteligjenca artificiale, mbrojtja kibernetike, transmetimet e fshehta dhe steganografia.
“MI5 ka përcaktuar se qëllimi kryesor i CGTRI është të financojë kërkime akademike që rrisin drejtpërdrejt aftësitë teknike të MSS në fushën e spiunazhit”, nënvizohet në njoftimin zyrtar.
Gjithashtu, institucioni i sigurisë ka theksuar se mosrespektimi i këtyre udhëzimeve mund të çojë në pasoja penale sipas legjislacionit të Aktit të Sigurisë Kombëtare të vitit 2023.
Ministri britanik i Sigurisë, Dan Jarvis, u ka bërë thirje institucioneve të arsimit të lartë të shkëpusin çdo lidhje me CGTRI-në, duke e konsuar këtë dukuri si rrezikshmëri për mbrojtjen shtetërore të Mbretërisë së Bashkuar dhe partnerëve të saj.
Nga ana e tyre, organizata Universities UK ka njoftuar se po analizon me kujdes paralajmërimin dhe se sektori akademik është i ndërgjegjshëm për detyrimet ndaj mbrojtjes së kërkimeve dhe bashkëpunimeve mbarëkombëtare.
Në krahun tjetër, qeveria e Kkinës i ka hedhur poshtë kategorikisht pretendimet e ngritura. Një zëdhënës i ambasadës kineze në Londër i cilësoi ato si “fantastike dhe plotësisht të sajuara”, duke shtuar se shkëmbimet shkencore ndërmjet dy shteteve bazohen në vullnetin e lirë dhe respektimin e legjislacionit.
Pekini zyrtar i ka kërkuar gjithashtu Londrës zyrtare që të ndalojë shpërndarjen e të dhënave të pavërteta dhe cenimin e partneritetit arsimor e shkencor mes dy shteteve.