Lajme Pozitive

Ekonomia

Politika

Reklamë - Faqja e artikullit (lart)

Almer Toska: Mungesa e një force politike e zbeh protestën, nevojitet organizim i ri

Gazetari Almer Toska vlerësoi se shoqëria në vend kërkon ndryshim, por mungesa e një strukture të unifikuar përfaqësimi ka sjellë largimin e njerëzve nga sheshet.

Gjatë një interviste televizive në emisionin “Minuta e Parë” në News24, Toska analizoi ecurinë e lëvizjeve qytetare që nisën në muajin maj, duke theksuar se popullata tregoi gatishmëri për t'i dhënë besim kujtdo që shfaqte sinqeritet. Megjithatë, ai vuri në dukje se rruga e protestës u ndikua nga interesa të ndryshme, ndërsa dështoi krijimi i një përfaqësimi të përbashkët. Sipas tij, duke qenë se qeveria nuk është larguar nga pushteti, domosdoshmëria e një platforme të mirëfilltë politike mbetet kyçe.

“Qeveria nuk iku, tani që nuk iku si do ndodhë ndryshimi? Ndodh me votë. Opozita thotë se nuk hiqet me votë qeveria, sepse i vjedh. Nëse do të kishte një formacion politik të mirëorganizuar të protestës dhe pa ego personale, do të ishte faktor shumë i rëndësishëm”, u shpreh Toska.

Gazetari shtoi se të dhënat e sondazheve dëshmojnë ekzistencën e një shtrese qytetarësh që nuk identifikohen me partitë ekzistuese dhe kërkojnë rrugëdalje të reja. Duke përmendur nismat e fundit të ndërmarra nga studentë dhe pedagogë, ai u shpreh se koordinimi mes tyre mbetet sfida më e madhe për të arritur suksesin.

“Nëse ndodh, do të ishte fitore e madhe për protestën që u bë disa mujore tani. Jemi ende në kohë”, deklaroi ai.

Toska theksoi gjithashtu se mungesa e një drejtimi të qartë rrezikon mbështetjen e gjerë popullore, ndërsa propozoi një tryezë koordinimi, ku mund të përfshihen edhe partnerë ndërkombëtarë për t'i dhënë më shumë peshë nismës. Ai u bëri thirrje të rinjve që të shmangin përplasjet e së kaluarës dhe të gjejnë konsensus.

Duke iu referuar tubimit të paralajmëruar për të nesërmen, ku pritet prania e diasporës, gazetari lëshoi një paralajmërim lidhur me skenarët e përplasjeve me forcat e rendit, duke i cilësuar ato si të pamjaftueshme pa një qasje të re politike.

“Sot mendoj se është shansi i fundit. Për çfarë do të protestohet më pas, me 20-30 veta? Ose protesta duhet të vijojë betejën politike ndryshe, ose mendoj se e ka humbur shkëlqimin nëse vijon vetëm me përplasjet në rrugë”, përfundoi Toska.

Reklamë - Faqja e artikullit (poshtë)