Gjykata e Lartë në kryeqytetin serb ka caktuar masën e paraburgimit dhe ka lëshuar urdhër-arrest për ish-nënkryetarin e Listës Serbe, Milan Radoiçiç, pasi ai shkeli detyrimin për t'u paraqitur në polici. Masa erdhi pas dështimit të tij për t'u paraqitur në stacionin policor më 15 nëntor, në kuadër të hetimeve për ngjarjet e dhunshme në Banjskë.
Informacioni u konfirmua për “Insajder” nga institucioni i drejtësisë në Beograd. Radoiçiç kishte detyrim që të paraqitej rregullisht në komisariatin e Savski Venacit për të vërtetuar vendndodhjen e tij, ndërsa sipas BIRN-it, ai ishte paraqitur më herët në datat 1 dhe 15 të çdo muaji, me herën e fundit më 1 nëntor.
Gjykata e Lartë kishte bërë të ditur më parë për televizionin N1 se po ndiqte nga afër zbatimin e masave dhe po bashkëpunonte me organet kompetente. Ndërkaq, sipas “Danas”, dokumenti i udhëtimit të Radoiçiçit gjendet po aty, ndaj tij ishte vendosur detyrimi i paraqitjes periodike për procedimin penal lidhur me rastin e Banjskës.
Milan Radoiçiç po hetohet për dyshimet rreth rolit të tij në sulmin e armatosur të 24 shtatorit 2023 në fshatin Banjskë në veri të Kosovës, ku nga përplasja me një grup të armatosur serb mbetën të vrarë katër persona, përfshirë një efektiv të Policisë së Kosovës dhe tre pjesëtarë të grupit.