Nënkryetari i Partisë Demokratike, Agron Gjekmarkaj, është takuar në Milano me Maurizio Lupin, drejtuesin e formacionit italian “Ne të Moderuarit” (Noi Moderati) dhe partner i kryeministres Giorgia Meloni në aleancën qeverisëse të qendrës së djathtë në Itali.
Nëpërmjet një njoftimi, Gjekmarkaj e ka përshkruar Lupin si një figurë të njohur të së djathtës italiane, ndër themeluesit e lëvizjes Forza Italia të Silvio Berlusconit, deputet prej një çerek shekulli, ish-ministër i Transporteve dhe ish-zv.kryetar i Dhomës së Deputetëve. Sipas zyrtarit të opozitës shqiptare, një segment kyç i bisedës u përqendrua te situata politike në vend, protestat kundër korrupsionit dhe aferave të qeverisë, si dhe nismat e opozitës për të bashkuar frontin opozitar në prag të zgjedhjeve lokale.
Gjekmarkaj u shpreh se diskutuan gjerësisht për sfidat e shoqërisë shqiptare në këtë periudhë protestash, përpjekjet e Partisë Demokratike dhe Sali Berishës për zgjerimin e opozitës dhe bashkimin e frontit për zgjedhjet lokale, si dhe përpjekjet për të siguruar zgjedhje të lira e të ndershme. Po ashtu, dy personalitetet politike biseduan mbi intensifikimin e marrëdhënieve mes partive të qendrës së djathtë në të dy shtetet, ndarjen e eksperiencave dhe mbështetjen e ndërsjellë gjatë fushatave elektorale.
Në mbyllje të takimit, Gjekmarkaj i ka bërë një ftesë zyrtare Maurizio Lupit për të vizituar Shqipërinë, ftesë e cila është pritur pozitivisht. Ky takim zhvillohet në kuadër të raporteve që opozita në Shqipëri po mban me aktorë të partive të djathta evropiane.