Presidenti Donald Trump e cilësoi rishikimin e fundit të prodhimit të brendshëm bruto si një gabim historik, duke deklaruar se ai duhet të “hetohet menjëherë”.
Të dhënat e publikuara të mërkurën nga Departamenti i Tregtisë treguan se ekonomia e ShBA-së shfaqi një rritje shumë më të fortë për tremujorin e tretë sesa ishte llogaritur fillimisht, duke treguar se PBB-ja reale u rrit me një normë vjetore prej 4.3%. Kjo shifër u rishikua në lartësi nga vlerësimi paraprak i departamentit prej 3.4%.
Ky rishikim ishte një “GABIM QË VENDOS REKORD”, tha Trump në një postim në Truth Social, duke lënë të kuptohet se publikimi fillestar mund të ketë ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve afatmesme të ShBA-së të vitit 2026, ku demokratët morën kontrollin e të dy dhomave të Kongresit madje edhe të disa posteve të guvernatorëve.
“Do doja t'i uroja Gëzuar Festën e Falënderimeve edhe atyre që dhanë Shifra të rreme Ekonomike, pikërisht para Zgjedhjeve, dhe i korrigjuan ato dje, me tri javë vonesë, duke treguar se PBB-ja ishte në fakt 4.3%, kundrejt 3.4%, NJË GABIM QË VENDOS REKORD, dhe aq i rëndë sa duhet të hetohet menjëherë”, shkroi Trump.
Rishikimet e shifrave ekonomike të ShBA-së nuk janë domosdoshmërisht të pazakonta. Raportet fillesare mbështeten në të dhëna të pjesshme ankete dhe vlerësime të hershme. Këto të dhëna përditësohen më vonë me më shumë përgjigje ankete — gjë që ndonjëherë sjell ndryshime nga raportet fillestare.
Në veçanti, vlerësimi paraprak për PBB-së e tremujorit të tretë të ShBA-së, i cili erdhi vetëm pak ditë para Ditës së Zgjedhjeve në fillim të nëntorit, ishte sërish më i mirë se shifra që ekonomistët kishin parashikuar në atë kohë. Ai tregoi gjithashtu një hov të ndjeshëm në rritje nga tremujori i dytë.
Meqenëse ky ishte një tregues i fortë për ekonominë, disa në Wall Street e konsiderojnë rishikimin e kësaj jave si konfirmim të tendencës së fundit të rritjes së ekonomisë.
Jim Baird nga Plante Moran Financial Advisors u shpreh menjëherë pas publikimit se kjo “përforcon një tension gjithnjë e më të njohur” se ekonomia “po performon mjaft mirë, por rezistenca e saj i jep gjithashtu Fed-it një argument edhe më të fortë për rritje të mëtejshme të normave”.
“Ekonomia nuk po mbahet thjesht gjallë. Ajo vazhdon të shfaqë rezistencë të konsiderueshme, me konsumatorët që shpenzojnë, bizneset që investojnë dhe pak shenja se politika monetare shtrënguese po krijon të çara domethënëse në zgjerimin më të gjerë”, u shpreh kryeekonomisti i investimeve të firmës.
Tregtarët aktualisht po vlerësojnë me rreth 100% mundësinë e një rritjeje në takimin e dhjetorit të Komitetit Federal të Tregut të Hapur, sipas mjetit CME FedWatch. Ata gjithashtu parashikojnë një rritje shtesë në janar.
— Jeff Cox dhe Fred Imbert të CNBC kontribuan në raportim