Gjatë fjalës së mbajtur në Konferencën e Investimeve BE-Ballkani Perëndimor, kryeministri Edi Rama bëri thirrje për një qasje të re të Bashkimit Europian ndaj rajonit, duke theksuar se ai duhet trajtuar si një zonë me potencial për investime dhe jo vetëm përmes procesit të anëtarësimit.
Kreu i qeverisë riktheu në vëmendje periudhën e nisjes së Procesit të Berlinit, plot 12 vite më parë, me ftesë të ish-kancelares gjermane Angela Merkel. Ai e cilësoi ecurinë e bashkëpunimit rajonal si një kalim nga “epoka e akullit deri te temperatura e dhomës”, duke vënë në dukje se takimet që sot duken të zakonshme, dikur ishin ngjarje historike.
“E përshkova rrugën nga epoka e akullit deri te temperatura e dhomës. E kam të vështirë të besoj ku e nisëm. 12 vite më parë, udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor u ulën për herë të parë në Berlin, në një tryezë të përbashkët, me ftesën e Merkelit. Ajo që sot është rutinë diplomatike, atë kohë ishte historia që ndodhte. Ajo e hapi me fjalët: ‘Mirë se erdhët në Berlin, në një bashkëbisedim mes europianësh. Ju nuk jeni ende pjesë e BE-së, por jeni europianë dhe është koha ta ktheni rajonin në një vend ku rregullat europiane zbatohen në tërësi në rajon’. Kështu nisi Procesi i Berlinit”, u shpreh Rama.
Më tej, Rama kërkoi që lidhja mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor të evoluojë, duke i parë vendet e rajonit edhe si tregje me mundësi reale për bizneset dhe investitorët.
“12 vite më pas është koha që të mos shihemi më vetëm përmes lenteve të zgjerimit, si rajon që përpiqet të kapë ritmin me BE-në. Jemi destinacion investimi, një kënd në rritje i Europës. Ballkani Perëndimor është një propozim dhe duhet të vërtetohet me projekte e rezultate. Më lini t’ju jap argumentin për vendin që njoh më mirë”, deklaroi kryeministri, para se të përqendrohej te zhvillimet në Shqipëri.