Samiti i Bashkimit Evropian në Bruksel është përfshirë nga një nga përplasjet më të rënda politike dhe financiare të viteve të fundit, pasi drejtuesit e 27 vendeve anëtare nuk po gjejnë dot një gjuhë të përbashkët për buxhetin shtatëvjeçar 2028-2034. Dallimet mes shteteve që kërkojnë shkurtime dhe atyre që mbrojnë fondet ekzistuese janë thelluar ndjeshëm.
Në qendër të këtij konflikti ndodhen çështjet financiare, mbështetja për Ukrainën dhe drejtimi i ardhshëm i politikave ekonomike të BE-së. Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, provoi të zhbllokonte bisedimet duke i ndarë liderët në shtatë grupe më të vogla në praninë e presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, por kjo taktikë nuk dha fryt. Sipas “Politico”, disa shtete u ankuan për organizimin, duke e parë këtë ndarje si një lëvizje për të dobësuar pozitat e tyre.
Costa kishte paraqitur një ulje prej 44 miliardë eurosh në buxhetin e ardhshëm, por ky kompromis u hodh poshtë nga shumë qeveri. Debati tashmë përfshin edhe pyetjen se kush do të përfitojë dhe kush do të kontribuojë më shumë. Kryeministrja italiane Giorgia Meloni u shpreh se Italia nuk do të pranojë një marrëveshje të nxituar apo të sakrifikojë interesat kombëtare. Roma kundërshton shkurtimin e subvencioneve bujqësore dhe fondeve të kohezionit, duke u rreshtuar krah 17 vendeve në grupin “Miqtë e Kohezionit”.
Në krahun tjetër, shtatë shtete me politika konservatore fiskale — Gjermania, Austria, Belgjika, Danimarka, Finlanda, Holanda dhe Suedia — kërkojnë shpenzime më të kontrolluara dhe orientim të burimeve drejt mbrojtjes e teknologjisë. Ndërkohë, kancelari gjerman Friedrich Merz kërkon që ndihma për Ukrainën të jetë përgjegjësi e të 27 vendeve, duke paralajmëruar se Berlini nuk do të ratifikojë një marrëveshje pa këtë garanci. Komisioni Evropian ka propozuar një kredi të re prej 45 miliardë eurosh për Kievin gjatë vitit 2027, ku 20 miliardë do të shkojnë për nevojat civile dhe 25 miliardë për sektorin ushtarak. Hungaria, Sllovakia dhe Republika Çeke kërkojnë përjashtim nga ky mekanizëm.
Edhe Franca, përmes presidentit Emmanuel Macron, ka kritikuar moszbatimin e rekomandimeve të raporteve Draghi dhe Letta për konkurrueshmërinë. Ndërsa bisedimet janë shtyrë për në samitin e 17 dhe 18 dhjetorit, çështja e buxhetit prej rreth 1.78 trilionë eurosh mbetet një provë e madhe për unitetin evropian. Veç kësaj, shtetet e eurozonës ranë dakord të propozojnë spanjollin Pablo Hernández de Cos për kryetar të Bankës Qendrore Evropiane, kurse Laurence Bon dhe Markus Brunnermeier u caktuan për bordin ekzekutiv, siç njoftoi Antonio Costa në platformën X.