Kryeministri Edi Rama, gjatë një konference të përbashkët me ambasadoren e Delegacionit të Bashkimit Europian, Sofia Moreira de Sousa, ka paralajmëruar sanksione ligjore dhe administrative ndaj personave që protestojnë.
Gjatë fjalës së tij, kreu i qeverisë nuk është ndalur te dhuna e policisë ndaj të rinjve, por është përqendruar te masat ndaj manifestuesve. “Unë nuk jam më as student dhe as pedagog, por vij nga një rrugë ku kam qenë student dhe pedagog dhe ku, bashkë me studentët, kam dalë kundër një regjimi real dhe jo një regjimi imagjinar, vetëm për një arsye: për të qenë i lirë. Kush mendon se me trembje, frikë apo dhunë do të ketë impakt tek unë, i ka bërë llogaritë gabim. Dhe do ta marrë përgjigjen edhe penalisht, edhe administrativisht, si ata që ngrenë dorën kundër policisë, ashtu edhe ata që bllokojnë rrugët”, tha Rama.