Një situatë e tensionuar është krijuar sërish në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” pranë Kryeministrisë, pasi Policia ka bllokuar zhvillimin e mëtejshëm të tubimit të qytetarëve.
Demonstruesit kanë kërkuar të kalojnë barrierën e forcave të rendit, ndërsa efektivët kanë ndërhyrë duke hedhur spray lotsjellës me qëllim shpërndarjen e njerëzve. Për shkak të këtij veprimi, disa prej protestuesve kanë pasur probleme shëndetësore dhe kanë kërkuar asistencë. Gjatë lidhjes direkte për News24, reporteri Osman Stafa bëri të ditur se një pjesë e qytetarëve patën gjendje të rënduar, të cilëve iu dha ndihmë e menjëhershme duke përdorur ujë fiziologjik në vendngjarje. Ndërkaq, gjendja vijon të jetë e acaruar, me pjesëmarrësit që kundërshtojnë reagimin e Policisë dhe insistojnë të vazhdojnë tubimin e tyre para selisë së qeverisë.