Më 17 nëntor ka përfunduar protesta e 171-të kundër qeverisë, e cila u mbyll në Sheshin Skënderbej me intonimin e himnit kombëtar dhe thirrjen e qytetarëve për pjesëmarrje më të madhe ditën e nesërme.
Kjo ditë u karakterizua nga tensione të larta dhe përleshje mes qytetarëve dhe forcave të rendit. Efektivët e policisë shoqëruan në stacionin e policisë disa protestues, duke përfshirë gra dhe të moshuar, ndërsa gazetarët në terren raportuan se shoqërimet u shoqëruan me dhunë.
Demonstruesit u detyruan të protestonin në trotuar, pasi atyre iu ndalua qasja në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, me arsyetimin se tubimet në sheshe ndalohen nga akti normativ i qeverisë.
Protestuesit u shprehën se ky akt i qeverisë është tërësisht abuziv dhe në kundërshtim me ligjin, duke qenë se e drejta për të protestuar garantohet nga Kushtetuta, ndërsa shtuan se kishin siguruar aprovimin e policisë për tubimin.
Sakaq, qytetarët dhe diaspora kanë paralajmëruar një tubim të madh kombëtar për datën 28 qershor dhe theksuan se nuk do të largohen nga sheshet deri në dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.