I ftuar në emisionin “Prime News24”, gazetari Sebastian Zonja ka diskutuar mbi tensionet mes kryeministrit Edi Rama dhe kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, duke u fokusuar te takimi i përfolur mes këtij të fundit dhe ministrit të Drejtësisë, Toni Gogu.
Zonja theksoi se nëse një takim i tillë ka zgzyar vërtet dy orë e gjysmë, është detyrim i ministrit të dalë në publik për të dhënë shpjegime rreth asaj çka u diskutua, duke ngritur gjithashtu shqetësimin nëse gjatë kësaj bisede mund të jetë ushtruar presion në emër të kreut të qeverisë.
“Nëse vërtet ka pasur bisedë dy orë e gjysmë mes Toni Gogut dhe Veliajt, atëherë ministri Toni Gogu duhet të flasë çfarë ka ndodhur. A ka pasur shantazh, ku Gogu bën shantazh në emër të kryeministrit? Atëherë nuk kemi çfarë zbulojmë më shumë se kaq”, u shpreh gazetari.
Më tej, ai shtoi se ka bindjen që Prokuroria e Posaçme ka nisur tashmë një hetim kryesisht për këtë ngjarje.
“Unë besoj se SPAK ka çelur hetim kryesisht. Ka dosje të kopsitura mirë, por edhe jo. Një jurist i mirë di të shohë një dosje të kopsitur. Nëse zoti Gogu thotë ‘e bëra nga mendja ime’, si do shkosh tek kryeministri? Ka një hetim intensiv për të shkuar deri në këtë pikë”, përfundoi ai.