Lajme Pozitive

Ekonomia

Politika

Reklamë - Faqja e artikullit (lart)

Debati i fundit në Spanjë: Strehimi dhe kriza e banesave në qendër të fushatës elektorale

Debati i fundit televiziv mes udhëheqësve politikë në Spanjë u dominua nga çështja e strehimit, në prag të zgjedhjeve parlamentare të së dielës.

Diskutimet u fokusuan te kostot e larta të banesave dhe vështirësitë e qytetarëve për të paguar qiratë, situatë kjo që ka shkaktuar protesta anembanë vendit. Kryeministri socialist Pedro Sánchez, i cili ka qenë në pushtet për tetë vite, rrezikon të humbasë mandatin, ndërkohë që sondazhet nxjerrin në krye Partinë Popullore konservatore me në krye Alberto Núñez Feijóo.
Feijóo premtoi ndërtimin e një milion banesave të reja, ndërsa formacioni i tij parashikohet të dalë forca kryesore dhe mund të formojë qeveri bashkë me partinë e djathtë ekstreme Vox. Kreu i kësaj force, Santiago Abascal, deklaroi gjatë debatit se vetëm ai kujdeset për qytetarët që kanë më shumë nevojë për një strehë.
Në krahun tjetër, Ada Colau, përfaqësuese e një koalicioni të majtë, bëri thirrje për vendosjen e taksave ndaj pronarëve të pasur dhe atyre që abuzojnë me qiramarrësit.
Pakënaqësia e qytetarëve u rrit edhe më tej pas ngjarjes së 87-vjeçares Maricarmen Abascal, e cila u dëbua nga shtëpia e saj në Madrid pasi qiraja u trefishua, për të ndërruar jetë më pas në spital.
Në Valencia, qyteti i tretë për nga madhësia në Spanjë, të rinjtë pohojnë se, pavarësisht se janë të punësuar, nuk munden dot të përballojnë marrjen e një apartamenti me qira dhe mbeten të detyruar të jetojnë bashkë me familjet e tyre.

Reklamë - Faqja e artikullit (poshtë)