Organi i akuzës në Vlorë ka vënë në sekuestro pasuri me vlerë rreth 7.5 milionë euro, të cilat i përkasin shtetasit G.V., pasi ekzistojnë dyshime se ai ka përvetësuar në mënyrë të paligjshme truallin dhe ndërtesën e njohur si “Fabrika e Miellit nr. 1”, duke kryer gjithashtu pastrim të produkteve të veprës penale.
Vendimi për masën e sigurimit pasuror u mor me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, në kuadër të procedimit penal nr. 1748, i regjistruar më datë 28.11.2025, pas kallëzimit të bërë nga shtetasit A.C., V.Q. dhe G.Z. Sipas hetimeve, i dyshuari G.V. ka shpërdoruar besimin e ortakëve të tjerë të shoqërisë “P…..” sh.p.k., duke regjistruar pronën në emrin e tij dhe jo si aset të kompanisë, duke iu cenuar interesat pasurore kallëzuesve.
Hetimet kanë dëshmuar më tej se G.V. ka transferuar një pjesë të pasurive te shtetasit K.B. dhe Xh. Ç., çka ka ngritur dyshime se janë shkelur nene të Kodit Penal, përfshirë nenin 143 për mashtrim me pasoja të rënda dhe nenin 287 për pastrim parash. Për këtë arsye, u vendos sekuestro preventive për disa pasuri të paluajtshme:
- Pasuria “Ndërtesë” me sipërfaqe 950 m², në pronësi të G.V.
- Pasuria “Njësi” me sipërfaqe 923 m², në pronësi të G.V.
- Truall me sipërfaqe 2.832 m², në lagjen “1 Maji”, regjistruar në emër të G.V.
- Truall me sipërfaqe 10.500 m², në lagjen “1 Maji”, regjistruar në emër të G.V.
- Truall me sipërfaqe 2.172 m² (pjesë e Fabrikës së Miellit), regjistruar në emër të K.B.
- Pasuria me nr. 4/156 (depo nr. 1, depo nr. 2), me sipërfaqe 1.263 m², në emër të K.B.
- Pasuria nr. 4/154+1- 2/1 (pjesë e katit të dytë të depos së grurit) me sipërfaqe 127 m², në emër të Xh. Ç.
- Pasuria me nr. 4/158 (pjesë trualli) me sipërfaqe 25 m², në emër të Xh. Ç.