Prokuroria e Tiranës ka vënë sekstro preventive mbi pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme të shtetasit Ilir Shehu, i njohur edhe si Ilir Pasholli, i cili dyshohet për përfshirje në një skemë kontrabande ilaçesh mes Italisë dhe Shqipërisë. Masat pasurore përfshijnë disa kompani, prona dhe automjete të regjistruara në emër të tij dhe të personave të lidhur.
Në listën e subjekteve të sekuestruara përfshihen “Medicamenta” sh.p.k., “Mega Store” sh.p.k., “Unipharma” sh.p.k. dhe “Italialbania Pharma” sh.p.k.
Procedimi pasuror me numër 23 nisi pas informacioneve nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, mbi dyshimet se Shehu dhe bashkëpunëtorët e tij zotërojnë pasuri të vëna nga veprimtaria kriminale. Hetimet treguan se ai ishte identifikuar nga autoritetet italiane si pjesë e një rrjeti kontrabande produktesh farmaceutike drejt vendit tonë.
Sipas organit të akuzës, operacioni zhvillohej përmes manipulimit të letrave doganore. Në Itali bliheshin barna me fatura zyrtare që përmbanin mbi 10 artikuj të ndryshëm farmaceutikë, dhe malli kalonte doganën italiane me peshën dhe vlerën reale. Ndërkohë, në doganën shqiptare deklaroheshin vetëm 4 ose 5 produkte, kurse pjesa tjetër hynte në treg pa dokumentacion të rregullt.
Gjithashtu, nga verifikimet rezultoi se ai është dënuar më parë në Itali për trafik drogjesh, ndërsa në Shqipëri po hetohet edhe për vepra të tjera penale si “Përfitim i mallrave të vjedhura”, “Pengmarrje” dhe “Shfrytëzim prostitucioni”.
Lista e pasurive të sekuestruara përfshin prona në Z.K 2119, ku spikasin pasuritë me numra 211/1/42, 211/1/45, 211/1/46, 211/1/48, 211/1/49, 211/1/59, 211/1/72, 211/1/91 (të regjistruara në vëllimet 10, 11, 12, 14, në faqet 218, 236, 237, 76, 77, 12, 149, 8), si dhe pasuria 53/84 në Z.K 2735, vol. 9, fq. 219. Po ashtu, janë sekuestruar pasuritë në emër të subjektit H.Sh. në Z.K 3640 (Elbasan), me numra 175, 218, 221, 284, 1001 dhe 100/8 (vëllimet 2, 3 dhe 4, faqet 103, 144, 146, 141, 8, 16).
Ndër automjetet dhe pasuritë e luajtshme të bllokuara për subjektin “Mega Store” përfshihen tetë mjete: Peugeot (viti 2018), Volkswagen Jetta (viti 2015), Mercedes Benz GLE (viti 2019), Skoda Kodiaq (viti 2019), Volkswagen Caddy (viti 2018), Volkswagen ID.3 (viti 2024), Land Rover Defender dhe një tjetër mjet Peugeot i vitit 2018.