Në shumë vende evropiane, përfshirë Shqipërinë, të rinjtë kanë dalë në sheshe për të kundërshtuar korrupsionin, kushtet e rënda në arsim dhe mungesën e perspektivës ekonomike, duke kërkuar ndryshime rrënjësore nga qeveritë.
Sipas një analize të agjencisë Reuters, lëvizjet e Gjeneratës Z po përhapen nga Beogradi e Tirana deri në Paris e Milano, teksa studentët shprehin pakënaqësinë ndaj institucioneve që sipas tyre nuk i dëgjojnë. Në Shqipëri, demonstratat e udhëhequra nga studentët janë fokusuar te qeverisja e kryeministrit Edi Rama, duke kërkuar dorëheqjen e tij dhe duke adresuar problemet e thella në sistemin arsimor dhe mungesën e vendeve të punës.
Studentja e arkitekturës, Xyke Kurti, 19 vjeçe, deklaroi se udhëheqësi i ekzekutivit nuk u ka kushtuar vëmendje protestuesve për periudha të gjata. “Kryeministri ynë kaloi 130 ditë duke mos na dëgjuar”, u shpreh ajo, duke shtuar se shumica e të rinjve e shohin të ardhmen e tyre jashtë kufijve të vendit për shkak të një sistemi ku lidhjet peshojnë më shumë se aftësitë.
Në vende të tjera si Serbia, Franca dhe Italia, lëvizjet e ngjashme po pasqyrojnë shqetësime të përbashkëta lidhur me koston e lartë të jetesës, pagat e ulëta, kushtet e shkollave dhe vështirësitë në sigurimin e banesave. Të dhënat tregojnë se rreth 40% e të rinjve të moshës 16 deri në 30 vjeç në Bashkimin Evropian e shohin rritjen e çmimeve si brengën kryesore, ndërsa rreziku i varfërisë për grupmoshën 18-24 vjeç arriti në 26.3% në vitin 2025, krahas zhvillimeve të tjera globale që nga Bangladeshi më 2024 e deri te protestat në Itali me studenten 21-vjeçare Chiara.