Biznesmeni Pandeli Carapuli u paraqit sot në ambientet e Prokurorisë së Posaçme i shoqëruar nga avokati i tij, Ulian Barjami, në kuadër të hetimeve që po zhvillohen për pastrim parash lidhur me një vilë luksoze në Dhërmi.
Sipas organit të akuzës, Carapuli është personi i lidhur me ish-zëvendëskryeministren Belinda Balluku, e cila dyshohet se ka marrë një vilë në kompleksin turistik “White Rocks”, në Gjilekë të Dhërmiut, si përfitim të parregullt në shkëmbim të favorizimit të kompanisë “Eurocol” sh.p.k. në një tender gjatë kohës që ajo drejtonte Albcontrol.
Prokuroria e Posaçme sqaron se përfitimi i parregullt llogaritet në vlerën 145 mijë euro dhe i përket pasurisë së paluajtshme me numër F6 në resortin turistik “White Rocks”, zhvillues i të cilit është shoqëria “Eurocol” sh.p.k. Kjo thirrje e Carapulit vjen vetëm një ditë pasi SPAK njoftoi se i kishte komunikuar akuzat për pastrim parash edhe ish-futbollistit të Kombëtares, Igli Tare, i cili dyshohet se ka fshehur në emrin e tij vilën në fjalë. Pandeli Carapuli është pronari i komplekseve të vilave në “White Rocks”, ku ndodhet edhe pasuria nën hetim.