TEL AVIV, Izrael — Koalicioni i ekstremit të djathtë i kryeministrit Benjamin Netanyahu është pothuajse barazim me bllokun opozitar të Gadi Eisenkot në zgjedhjet historike të së martës, por të dyja palët nuk arrijnë dot shumicën prej 61 mandatesh, sipas sondazheve të daljes nga kutitë në Izrael.
Pse ka rëndësi: Ngërçi politik është rezultati më i mundshëm i zgjedhjeve, ku Netanyahu del i dobësuar, por asnjëra anë nuk ka një rrugë të qartë për të krijuar një qeveri koalicioni.
Partitë arabe janë drejt fitimit të 18 deri në 19 mandateve, në atë që do të përbënte një arritje zgjedhore pa precedent.
Edhe pse teorikisht blloku i Eisenkot mund të provojë të betojë një qeveri minoritare të mbështetur nga dy partitë arabe, ky skenar duket i pamundur.
Shifrat: Blloku i Eisenkot doli me një epërsi të vogël në sondazhet e hershme, por koalicioni i Netanyahut e ngushtoi diferencën me kalimin e orëve të natës.
Sondazhet tregojnë bllokun e Netanyahut me 51-52 mandate dhe bllokun e Eisenkot me 49-51 mandate.
Partia Likud e Netanyahut parashikohet të fitojë 27 mandate kundrejt 21 mandateve për partinë Yashar të Eisenkot.
Gjendja aktuale: Një rezultat i ngushtë mund ta lërë vendin në një situatë pezull, ku Netanyahu me gjasë do të mbetet kryeministër në detyrë në krye të pushtetit ekzekutiv, ndërsa opozita e udhëhequr nga Eisenkot do të kontrollojë Knesset-in.
Ky skenar mund të vazhdojë derisa të mbahen zgjedhje të reja që në muajin prill.
Të dyja palët mund të provojnë ta thyejnë ngërçin duke formuar një qeveri uniteti mes Netanyahut dhe Eisenkot. Por një skenar i tillë është gjithashtu i pamundur duke pasur parasysh se asnjëra nga partitë e opozitës nuk do të pranojë të ulet në një qeveri të drejtuar nga Netanyahu.
Çfarë po thonë ata: Eisenkot pretendoi fitoren në një fjalim pas mesnatës me orën e Izraelit. Ai tha se nëse Netanyahu do të ishte një "lider i denjë", ai do të largohej nga skena politike pasi publiku votoi për ndryshim.
Gjatë fjalimit, Eisenkot aludoi për mundësinë që kryeministri të ndërmarrë një veprim ushtarak para se të betohet një qeveri e re. "Netanyahu: mos guxo të përdorësh sigurinë e Izraelit për nevojat e tua politike", u shpreh Eisenkot.
Ai theksoi se komandantët e Forcave Mbrojtëse të Izraelit dhe krerët e shërbimeve të sigurisë e të zbulimit duhet të mbajnë mend se Netanyahu tani drejton një qeveri në detyrë.
Eisenkot tha gjithashtu se qeveria që synon të formojë do të mbështetet në tri parime: Izraeli si shtet hebre dhe demokratik; shërbimi ushtarak dhe kombëtar për të gjithë; si dhe çmontimi i Hamasit.
Pas orës 3 të mëngjesit me orën e Izraelit, Netanyahu dolli në skonë dhe gjithashtu pretendoi fitoren.
"Ne jemi ende duke pritur rezultatet zyrtare të zgjedhjeve. Likud është partia më e madhe në Izrael. Blloku i djathtë ka një shumicë të qartë dhe vendimtare mes publikut sionist dhe mes popullsisë hebraike në tërësi", tha ai.
Netanyahu nuk e përmendi mundësinë e një qeverie uniteti me Eisenkot, por në vend të kësaj bëri thirrje për "një qeveri kombëtare të fortë të së djathtës hebraike".
"Ne nuk duhet ta rrezikojmë Izraelin duke formuar një qeveri që mbështetet te partitë arabe antisioniste", u shpreh ai, duke iu referuar opsionit të vetëm të disponueshëm për Eisenkot për të krijuar qeveri.
Netanyahu shtoi se "Irani është më i dobët se kurrë dhe Izraeli është më i fortë se kurrë". Për sa kohë që regjimi iranian ekziston, tha ai, ai do të përpiqet ta shkatërrojë Izraelin. "Së bashku me mikun tonë të mrekullueshëm, Presidentin Trump, ne kemi fuqinë ta eliminojmë kërcënimin një herë e përgjithmonë".
Si u arrit këtu: Rezultatet e sondazheve erdhën pasi votuesit vërshuan në qendrat e votimit gjatë gjithë ditës, me pjesëmarrjen që arriti nivelin më të lartë në tre dekadat e fundit. Kjo ishte kulmi i një fushate për të cilën secila palë paralajmëroi se do të çonte në katastrofë nëse pala tjetër fitonte.