Studentët dhe nxënësit e shkollave të mesme janë bashkuar edhe sot në sheshin “Skënderbej” të kryeqytetit, në ditën e shtatë të tubimeve të tyre, duke kërkuar ndryshime dhe duke shfaqur pakënaqësi ndaj gjendjes në vend.
Gjatë një prononcimi për News24, disa nga protestuesit kanë rrëfyer dhunën e pësuar në përleshjet me forcat e rendit, duke theksuar shqetësimin e tyre për të ardhmen. Një prej gjimnazistëve është shprehur se mungon çdo lloj shprese, duke fajësuar qeverinë se nuk ofron mundësi për një jetë më të mirë.
“Nuk na jep më shpresë. Duam vetëm të largohemi. Vjedh ai dhe do një të ardhme më të mirë e na shtyp ne”, u shpreh ai.
Një tjetër i ri, i cili pretendon se është dhunuar nga uniformat blu, i ka bërë thirrje nxënësve të bojkotojnë mësimin për t'iu bashkuar tubimit, ndërsa ka pohuar se po merren masa ndaj tyre për shkak të protestave.
“Na kanë masakruar. Shtet komunist, kriminelë. Na kanë ikur të gjithë shokët në Angli për një jetë më të mirë. Bojkotoni mësimin dhe ejani të gjithë këtu. Nuk shohim të ardhme në Shqipëri. Po nuk iku Rama edhe këtë vit, nuk ka për të ngelur më njeri. Na kanë përjashtuar nga shkolla sepse kemi dalë në protestë. Rama ka rënë ngushtë, jemi rinia ne”, deklaroi ai.
Ndërkaq, në shesh janë shfaqur efektivë policie, të cilët kanë ushtruar kontrolle ndaj të rinjve.
Këto protesta të të rinjve në Tiranë vazhdojnë prej një jave, ku në qendër të pakënaqësive të tyre mbeten dhuna policore, pakënaqësia ndaj qeverisë dhe mungesa e perspektivës në vend.