Në një periudhë kur Tirana përfshihet nga tubime të herëpahershme të qytetarëve, të rinjve dhe studentëve kundër qeverisë, një fjalim i vjetër i ish-kryediplomatit Ditmir Bushati në Parlament është vënë sërish në qendër të vëmendjes për shkak të relevancës së tij.
Gjatë fjalës së tij, Bushati ngrinte alarmin lidhur me rrugën që kishte nisur vendi, zhgënjimin e popullsisë dhe përgjegjësinë që kishte klasa udhëheqëse për të ardhmen shqiptare. Ai shtronte pyetjen se përse shqiptarët nuk arrinin të komunikonin për të ecur përpara, ndërkohë që shtetet fqinje kapërcenin pengesat historike.
Ish-ministri veçonte brezat e rinj, duke kundërshtuar përdorimin e trashëgimisë komuniste si alibi për vështirësitë aktuale. Ai nënvizonte se pas tridhjetë vitesh, politika nuk mund t'ia vishte të kaluarës dështimet e veta.
“Ne jemi në një udhëkryq të madh. Lexova Financial Times, hapet me foton selfie të kryeministrit të Maqedonisë së Veriut dhe atij të Greqisë. Si ka mundësi, pse kur grekët e maqedonasit e gjejnë gjuhën të ecin para, ne si shqiptarë nuk e gjejmë? Pse nuk gjejmë dot gjuhën të ecim para?”, shprehej Bushati nga foltorja e Kuvendit.
Po ashtu, ai shprehte shqetësimin për përqendrimin e pasurisë te një pakicë njerëzish, emigrimin e qytetarëve dhe zhgënjimin e atyre që kishin dhënë kontribut ndër vite.
“Po 30-vjeçarët, të cilët nuk e dinë se çfarë është komunizmi, do vijojmë t’u themi se është faji i Enverit? 30 vite nuk e justifikojmë dot votën dhe besimin që na kanë dhënë shqiptarët. Është momenti i fundit të shohim nga e ardhmja e të mos bëhemi nostalgjikë të së shkuarës”, deklaronte ai.
Fjalimi i tij fiton një kuptim të veçantë në kuadrin e protestave aktuale në Tiranë, ku pjesëmarrësit kërkojnë ndryshime dhe thirrjet për largimin e kryeministrit Edi Rama janë shndërruar në kërkesa qendrore.
Thirrja e dikurshme e ish-ministrit socialist lidhur me detyrimet e politikës ndaj rinisë dhe domosdoshmërinë e shikimit drejt së ardhmes rikthehet kështu në vëmendje gjatë kësaj faze tensionesh politike e sociale.