Pas refuzimit të ftesës për dialog nga studentët dhe pedagogët, kryeministri Edi Rama ka vendosur sërish karrige para Kryeministrisë, duke theksuar se pakënaqësitë ekzistojnë, por dhuna nuk mund të arsyetohet.
Ai shtoi se shtrin dorën për dialog për secilin që mendon ndryshe, ndërsa paralajmëroi se çdo dëm i shkaktuar nga protestat do të paguhet financiarisht dhe ligjërisht.
“Ka një mijë e një pakënaqësi, halle e probleme, mund të ketë dhe një mijë e një arsye, por asnjë arsye se justifikon dhunën. Çdo arsye është një argument më shumë për dialogun, mes njerëzish që ndajnë të njëjtin atdhe, që kanë një shtëpi të përbashkët, që duan të njëjtën gjë, si ta bëjnë Shqipërinë më të mirë. E drejta e protestës është e pamohueshme, por dhuna është e pajustifikueshme. Dje dialogu mori përgjigjen e dhunës. Sot dialogu është këtu përsëri. Dora ime është e shtrirë për të gjithë ata që mendojnë ndryshe nga unë, apo ata që janë të terrorizuar nën trysninë e dhunës. Distancohuni nga dhuna. Çdo dhunues do të marrë përgjigje, përgjigja nuk do të vonojë, do të jetë ligjore, financiare. Kush dëmton pronën e përbashkët, do të paguajë. Shqipëria është e të gjithëve. E drejta e askujt nuk mund të imponohet kur të tjetër kanë të drejtë të qëndrojnë nën qiellin e përbashkët.”, tha ai.