Lajme Pozitive

Ekonomia

Politika

Reklamë - Faqja e artikullit (lart)

Paketa Fiskale 2027, Shoqata e Industrialistëve Italianë kundër rritjes së taksave

Confindustria Albania kundërshton ndryshimet e propozuara në Paketën Fiskale 2027 që parashikojnë rritjen e tatimit mbi fitimin, dividendëve dhe TVSH-së, duke kërkuar tërheqjen e tyre.

Në një deklaratë publike, Shoqata e Industrialistëve Italianë kërkon llogaridhënie dhe transparencë për nevojën e shtimit të taksave, ndërkohë që sipas të dhënave të Ministrisë së Financave për periudhën janar–shtator 2026, të ardhurat buxhetore kanë kaluar shpenzimet me afërsisht 70,3 miliardë lekë, kurse investimet publike arritën në 75,2% të planit. Organizata thekson se qeveria u zotua më parë që tatimi mbi fitimin për biznesin e madh prej 15% nuk do të ndryshonte gjatë mandatit, por tani propozohet të ngrihet në 17%, tatimi mbi dividendët nga 8% në 15% dhe TVSH-ja standarde nga 20% në 21%.

“Qeveria u zotua publikisht se norma 15% e tatimit mbi fitimin për biznesin e madh do të mbetej e pandryshuar gjatë mandatit. Sot propozon ta rrisë në 17%, së bashku me rritjen e tatimit mbi dividendët nga 8% në 15% dhe të TVSH-së standarde nga 20% në 21%. Qeveria duhet të shpjegojë pse po tërhiqet nga fjala e dhënë. Çfarë ka ndryshuar që nga marrja e zotimit?” shprehet në deklaratë.

Sipas shoqatës, barra e kombinuar e tatimfitimit dhe dividendit për një shoqëri që shpërndan gjithë fitimin e mbetur kalon nga 21,8% në 29,45%, çka do të thotë se për çdo 100 lekë fitim para tatimit, shteti do të marrë 7,65 lekë më shumë, duke shkaktuar një rritje prej rreth 35% të barrës së kombinuar tatimore. Kjo situatë dëmton parashikueshmërinë fiskale, rrit pasigurinë për investitorët dhe mund të sjellë shtyrje ose zhvendosje të projekteve, si dhe kufizim të vendeve të reja të punës.

“Ulja e TVSH-së për ushqimet bazë mund të ndihmojë familjet, nëse reflektohet në çmimet përfundimtare. Por qytetarët kanë të drejtë të dinë efektin neto të të gjithë paketës mbi shpenzimet e tyre. Ne e njohim nevojën për financimin e shërbimeve publike. Pikërisht për këtë, kërkojmë të dhëna mbi rezultatet e luftës kundër evazionit, alternativat për zgjerimin e bazës tatimore dhe efikasitetin e shpenzimeve publike,” thuhet më tej.

Në përfundim, Confindustria Albania kërkon tërheqjen e rritjeve të propozuara, publikimin e analizës së ndikimit të kombinuar dhe konsultim të mirëfilltë, duke theksuar se sipërmarrjes i kërkohet të respektojë kontratat dhe se ajo ka të drejtë të kërkojë të njëjtën gjë edhe nga qeveria.

Reklamë - Faqja e artikullit (poshtë)