Në mes të shtimit të shpenzimeve sociale dhe kostove më të larta të jetesës, qeveria ka parashikuar një fond prej 201 miliardë lekësh, ose 2,2 miliardë eurosh, për investimet kapitale gjatë vitit 2027. Ky zë buxhetor shënon një rritje prej 14.4 për qind krahasuar me buxhetin e rishikuar të vitit 2026, megjithëse realizimi i fondeve vazhdon të përkeqësohet paralelisht me rritjen e tyre.
Sipas projektbuxhetit, shpenzimet kapitale të vitit të ardhshëm do të jenë 260 milionë euro më të larta se buxheti i planifikuar i këtij viti dhe 53% më të larta se në vitin 2025, duke zënë 6.9% të Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe afro një të pestën e totalit të shpenzimeve buxhetore. Nga kjo shumë, 134.8 miliardë lekë do të sigurohen nga burimet e brendshme dhe 62.5 miliardë lekë nga financimet e huaja, ku përfshihen edhe 14.1 miliardë lekë nga Plani i Rritjes i Bashkimit Europian.
Megjithatë, shifrat e larta të planifikimit qëndrojnë në kundërshtim me aftësinë e institucioneve për t'i disbursuar këto para në kohë. Të dhënat e Ministrisë së Financave për nëntëmujorin e vitit 2026 tregojnë se investimet kapitale arritën në 62.7 miliardë lekë, duke përmbushur vetëm 35.6% të planit vjetor prej 176 miliardë lekësh. Ndërkohë që shpenzimet korente u realizuan në masën 95.7%, për investimet publike mbetën pa u shfrytëzuar rreth 83.5 miliardë lekë ose 75.2% e planit të periudhës, duke lënë rreth 1.2 miliardë euro për t'u përdorur në tre muajt e fundit.
Praktika e viteve të shkuara dëshmon se mbi 40% e buxhetit të investimeve alokohet shpesh gjatë muajit dhjetor, gjë që ngre dyshime mbi eficencën e përdorimit të tyre. Për vitin 2027, investimet do të përbëjnë 20.6 për qind të shpenzimeve buxhetore, krahasuar me 15.8 për qind që ishin në vitin 2025.
Pavarësisht fondeve të larta, vendi vuan nga mangësi thelbësore në infrastrukturë. Raportet ndërkombëtare, si ai i Bankës Botërore, kanë evidentuar se Shqipëria ka financime të larta buxhetore për ujësjellësit, ndërkohë që qytetarët vazhdojnë të përballen me mungesa të theksuara në furnizimin me ujë dhe përpunimin e ujërave të zeza. Statistikat krahasuese tregojnë se investimet kapitale në Shqipëri janë 1.2 deri në 1.6 pikë përqindjeje të PBB-së më të larta se në shtetet e tjera të rajonit, ndërsa buxheti për arsimin, shëndetësinë dhe mbrojtjen sociale mbetet më i ulët.
Buxheti i vitit 2027 parashikon rreth 910 miliardë lekë të ardhura dhe 980 miliardë lekë shpenzime, pa pasur parashikime për rritje të reja pagash.