Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, është dërguar në institucionin e paraburgimit në Fier. Ky zhvillim u konfirmua për BalkanWeb përmes gazetares Klodiana Lala.
Veliaj mbahej në paraburgimin e Durrësit që nga muaji shkurt i vitit 2025, ndërkohë që ndaj tij vazhdon shqyrtimi gjyqësor për çështjen nën hetim nga SPAK. Lëvizja e tij ndodhi vetëm dy ditë pasi ai bëri publike një deklaratë në rrjetet sociale, përmes së cilës u dha mbështetje protestave të studentëve.
Veliaj u shpreh lidhur me humbjen zgjedhore të Aleksandër Vuçiçit, por njëkohësisht i drejtoi një mesazh kryeministrit Edi Ramës në lidhje me tubimet studentore. “Lëvizjet dhe protestat studentore nuk janë “fundi i botës”, por fundi i “një bote”. Sa më shpejt ta kuptojmë këtë si qytetarë e politikëbërës, aq më mirë do të dimë t’u përgjigjemi nevojave dhe pritshmërive të kësaj gjenerate”, shkroi Veliaj.
Deri më tani nuk ka pasur njoftime për ndonjë përplasje të Veliajt brenda burgut të Durrësit që mund të shërbente si shkak për këtë transferim. Gjithashtu, nuk ka të dhëna se ai të ketë bërë vetë kërkesë për t'u larguar nga ai mjedis.