Lajme Pozitive

Ekonomia

Politika

Reklamë - Faqja e artikullit (lart)

Paketa e re fiskale: Ulet TVSH-ja për ushqimet bazë, ndryshime te tatimi mbi dividentin dhe pagat

Qeveria ka prezantuar paketën e re fiskale, e cila parashikon uljen e TVSH-së në 6% për 54 produkte të shportës bazë, rritjen e pragut të tatimit mbi pagën për shtresën e mesme dhe ndryshime të tjera në taksa.

Gjatë prezantimit, u bë e ditur se norma e TVSH-së për ushqimet bazë do të ulet nga 20% në 6%, duke përfshirë mishin, peshkun, bulmetin, vezët, miellin, vajrat, sheqerin, makaronat, frutat, perimet dhe ushqimet për foshnjat. Kjo lëvizje synon t'u shtojë familjeve shqiptare rreth 150 milionë euro në vit. Ndërkohë, norma standarde e TVSH-së do të rritet me 1%, si një kontribut për të garantuar shportën e bazës për ata që e kanë më të vështirë.

Nga ana tjetër, tatimi i fitimit për sipërmarrjet mbetet në nivelin 15%, ndërsa tatimi mbi dividentin rritet nga 8% në 15%. Po kështu, rritet pragu i sipërm i tatimit mbi pagën nga 200 mijë në 300 mijë lekë të reja për 32 mijë tatimpagues të shtresës së mesme, ndërsa vendoset një prag i ri prej 700 mijë lekësh të reja me normë tatimi 30%.

Paketa prek gjithashtu biznesin e vogël, ku ulet pragu i aplikimit të TVSH-së për çdo biznes me xhiro vjetore mbi 5 milionë lekë, ndërsa taksa zero mbi fitimin për biznesin e vogël mbetet e paprekur deri në vitin 2029. Gjithashtu, TVSH-ja në hoteleri rritet nga 6% në 10%, duke përjashtuar agroturizmin, dhe paralajmërohet një sistem i ri taksimi për ekonominë digjitale, super-taksë prone për apartamentet bosh e vilat në bregdet, si dhe taksa për makinat e luksit.

Në kuadër të kontrollit financiar, do të krijohet Byroja e Kontrollit të Specializuar të të Ardhurave pranë Ministrisë së Financave, me një formular të ngjashëm me deklarimin e pasurisë për individët me të ardhura të larta. Së fundmi, qeveria ka njoftuar heqjen e taksës së qarkullimit nga çmimi i naftës, duke ulur çmimin në pompë me 32 lekë, e cila do të mblidhet përmes Drejtorisë së Transportit Rrugor, si dhe një taksë e re qarkullimi për makinat e huaja që hyjnë në vend.

Reklamë - Faqja e artikullit (poshtë)