Autorja e njohur Lea Ypi ka dalë në mbrojtje të protestës studentore në kryeqytet, duke e quajtur të papranueshme dhunën e forcave të rendit dhe duke kërkuar një transformim rrënjësor të vendit.
Ypi ka theksuar se një shtet ku sundon ligji nuk kërkon dhunë për të ruajtur qetësinë, ndërsa u ka bërë thirrje të rinjve që pakënaqësinë e tyre ta kthejnë në një platformë të mirëfilltë shoqërore dhe politike. Sipas saj, zëvendësimi i një drejtuesi me një tjetër nuk përbën ndryshim, por thjesht një synim partiak.
Ajo vlerëson se kalimi nga oligarkia te demokracia sociale përbën misionin e duhur politik, ndërsa shprehet se korrupsioni lidhet ngushtë me vetë sistemin ekonomik e politik që e mbështet atë. Për më tepër, shkrimtarja këshillon që protestat të ruajnë karakterin paqësor dhe të mos lejojnë shfrytëzimin e tyre nga forca që nuk përfaqësojnë të njëjtat ide.