Komiteti Shqiptar i Helsinkit ka shprehur shqetësim serioz për dhunën policore ndaj protestuesve në Tiranë, veçanërisht ndaj të miturve, duke kërkuar hetim të pavarur për të gjithë zinxhirin komandues.
Në një njoftim për media të bërë publik më 18 tetor, KShH ka kërkuar nisjen e verifikimeve të menjëhershme për rastet e raportuara, duke theksuar se përgjegjësia duhet të shtrihet te drejtuesit dhe efektivët e përfshirë. Gjatë një monitorimi të zhvilluar më 16 tetor në ambientet e paraburgimit të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, organizata konstatoi kushte të rënda dhe mbipopullim, ku në dhoma për një person mbaheshin deri në katër individë, kryesisht të mitur, pa kushtet minimale për fjetje.
Sipas vëzhgimeve, disa prej të arrestuarve të mitur shfaqnin dëmtime të dukshme fizike nga trajtimi në polici, ndërsa njëri prej tyre u dërgua dy herë në Spitalin e Traumës. Po ashtu, janë ngritur pretendime për vështirësi në kontaktin me familjarët dhe avokatët, mungesë të asistencës mjekësore dhe marrje në pyetje pa praninë e psikologut.
KShH ka përsëritur se e drejta për tubim është elementare, duke dënuar si dhunën gjatë protestave ashtu edhe përdorimin e tepruar të forcës nga uniformat blu, ndërsa u ka bërë thirrje Prokurorisë dhe Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore që të hetojnë me përparësi ngjarjet dhe të ruajnë provat filmike e mjekoligjore.