Lajme Pozitive

Ekonomia

Politika

Reklamë - Faqja e artikullit (lart)

Fondi Monetar Ndërkombëtar përmirëson pritshmëritë për rritjen e ekonomisë shqiptare këtë vit

Fondi Monetar Ndërkombëtar ka përditësuar parashikimet për treguesit makroekonomikë të Shqipërisë, duke rritur lehtë ritmin e pritshëm të zgjerimit për vitin 2026 dhe duke ulur normën e inflacionit. Dokumenti i ri dëshmon një ecuri pozitive, ndërsa institucioni ka bërë publike edhe projeksionet për tregun global.

Sipas dokumentit më të fundit World Economic Outlook, i bërë publik më 13 tetor 2026, zgjerimi i ekonomisë shqiptare llogaritet në 3,5% për këtë vit, duke pësuar një rritje prej 0,1 pikë përqindjeje nga shifrat e muajit prill që ishin 3,4%. Për vitin 2027, treguesi mbetet i pandryshuar në 3,2%, duke sugjeruar një ecuri pak më të ngadaltë.

Lidhur me ndryshimet e çmimeve, FMN ka reduktuar projeksionin e inflacionit mesatar për vitin 2026 në 3,2%, nga 3,4% që llogaritej më herët. Për vitin 2027, shifra shënon një rritje të lehtë, nga 3,1% në 3,2%.

Përmirësime vërehen gjithashtu te bilanci i jashtëm, ku deficiti i llogarisë korrente pritet të zbresë në 2,1% të Prodhimit të Brendshëm Bruto përgjatë vitit 2026, kundrejt 2,8% të parashikuar paraprakisht. Për vitin 2027, ky deficit parashikohet të pozicionohet në 2,5% të PBB-së, nga 3,4% që ishte vlerësimi i mëparshëm, duke reflektuar një korrigjim prej 0,9 pikësh përqindjeje. Ndërkohë, papunësia në vend do të vijojë të mbetet në nivelin 8,7% pëjatë dy viteve 2026 dhe 2027.

Panorama ekonomike globale dhe sfidat e saj

Në përmasat ndërkombëtare, FMN-ja ka përmirësuar në 3,1% projeksionin për rritjen globale për vitin 2026, nga 3% që ishte në muajin korrik, kurse për vitin 2027 mbetet në kuotën 3,4%. Analiza thekson se tregjet kanë rezistuar përballë tensioneve gjeopolitike në Lindjen e Mesme, çmimeve të larta të energjisë dhe sfidave tregtare, kryesuar nga zhvillimet në teknologji.

Megjithatë, diferencat mes shteteve mbeten të dukshme. Vendet e orientuara drejt inteligjencës artificiale shfaqin ecuri më të mira, ndërsa shtetet që mbështeten te importi i energjisë përballen me shpenzime më të larta.

Sipas FMN-së, inflacioni global do të regjistrojë vlerën 4,7% gjatë vitit 2026, për t'u zbutur në 4,1% përgjatë vitit 2027, ndërsa presionet e lëndëve të para vazhdojnë të jenë prezente. Institucioni ka paralajmëruar se zvogëlimi i rezervave të energjisë mund të sjellë çrregullime në furnizim dhe shtrenjtim të mëtejshëm të çmimeve.

Një tjetër pikë kritike mbetet përqendrimi i fondeve teknologjike te një numër i vogël korporatash, çka mund të krijojë cenueshmëri në tregje. FMN bën thirrje për ruajtjen e ekuilibrit të çmimeve, konsolidimin e rezervave fiskale dhe zbatimin e reformave për të garantuar qëndrueshmëri afatgjatë.

Reklamë - Faqja e artikullit (poshtë)