Blerja e 10 artikujve bazë të shportës ushqimore shënon një ndryshim çmimi deri në 58% mes rrjeteve të ndryshme të supermarketeve në vend. Sipas të dhënave nga platforma "Pasqyra e Çmimeve", kostoja minimale për këto produkte është 1,412 lekë.
Sipas përllogaritjeve të platformës dhe rubrikës "Kurse", fatura më e lirë për 10 mallrat e shportës regjistrohet te rrjeti i supermarketeve "Spar". Nga ana tjetër, vlera më e lartë për të njëjtat artikuj llogaritet në 2,225 lekë, e cila i përket supermarketit Conad, nga 5 rrjete në total që kanë bërë publike çmimet e tyre. Kjo krijon një diferencë prej 813 lekësh ose rreth 58% mes ofertës më ekonomike dhe asaj më të shtrenjtë.
Për shportat e pjesshme, ku janë llogaritur çmimet për 9 artikuj nga 10 të kërkuarit, rrjeti i supermarketeve Xhangolli ofron vlerën prej 1,221 lekësh. Ndërkohë, te Big Market e njëjta sasi arrin në 1,266 lekë, kurse në Extramarket qytetarët duhet të paguajnë 1,519 lekë. Diferenca mes shportës së pjesshme më të lirë dhe asaj më të shtrenjtë është 298 lekë, ose afërsisht 24% më shumë.
Platforma "Pasqyra e çmimeve" sqaron se çmimi për çdo kategori përcaktohet në bazë të një sasie reference, duke shfaqur vlerën më të ulët të raportuar nga tregtari. Krahasimi bazohet te produktet dhe pikat e shitjes të publikuara sipas datës dhe orës së caktuar, ndërsa çmimet mund të ndryshojnë sipas dyqanit dhe kohës së blerjes.
Aktualisht, në platformë pasqyrohen çmimet për 238 produkte në pesë rrjete supermarketesh: Big Market, Conad, Extramarket, Spar dhe Xhangolli, të shpërndara në 155 dyqane në total, ku 109 prej tyre ndodhen në Tiranë. Mallrat janë ndarë në grupe si ushqimet bazë, mishi, vezët, bulmeti, pula dhe perimet, duke u mundësuar përdoruesve renditjen dhe llogaritjen e kursimeve.
Analiza e produkteve veç e veç tregon luhatje të konsiderueshme mes vlerës minimale dhe maksimale. Për 1 kilogram miell gruri, çmimi nis nga 70 lekë dhe shkon deri në 219 lekë, me një diferencë prej 213%. Për 1 kilogram oriz, shifrat variojnë nga 75 lekë deri në 419 lekë, duke shënuar një diferencë prej 459%. Sheqeri ka një çmim nga 65 lekë deri në 299 lekë për kilogram, me një diferencë prej 360%. Për makaronat në paketim 500 gram, çmimet shkojnë nga 118 lekë deri në 358 lekë, ose 203% diferencë, ndërsa vaji i lulediellit kushton nga 170 lekë deri në 490 lekë për litër, me një diferencë prej 188%.
Kategoria e bulmetit, ku përfshihet qumështi dhe kosi, shfaq gjithashtu larmishmëri markash dhe paketimesh. Qumështi vendas 1 litër varion nga 149 lekë deri në 180 lekë, me një ndryshim prej 21%, kurse ai i importit luhatet nga 119 lekë deri në 489 lekë për litër, duke arritur një diferencë prej 311%. Kosi për kilogram nis nga 155 lekë dhe arrin në 519 lekë, me një diferencë prej 235%. Për kosin vendas vlera lëviz nga 155 lekë deri në 289 lekë për 1 kg (86% diferencë), ndërsa për atë të importit nga 399 lekë deri në 519 lekë për kg (30% diferencë).
Për gjalpin në paketim 200 gramë, çmimet lëvizin nga 219 lekë deri në 629 lekë, me 187% diferencë, ndërsa paketimi 250 gramë varion nga 224 lekë deri në 376 lekë, me 68% diferencë. Vezët e paketuara të masës M shiten nga 189 lekë deri në 499 lekë, me një diferencë prej 164%. Së fundmi, një pulë e plotë e freskët kushton nga 399 lekë deri në 1,050 lekë, duke shënuar një diferencë prej 163.2%.