Kryeinspektori Dashnor Sula ka bërë të ditur gjatë një interviste se deri në gjysmën e parë të vitit 2027 inspektorët shtetërorë do të mbajnë uniforma zyrtare, ndërsa kontrolli i bizneseve do të kryhet përmes një platforme të re për të rritur transparencën.
Sula u shpreh se në buxhetin e shtetit është parashikuar fondi përkatës, duke hequr paralelizma me situatën aktuale ku inspektorët dallohen nga veshjet e markave luksoze. Sipas tij, procesi i pajisjes me uniforma pritet të mbyllet brenda gjashtëmujorit të parë të vitit 2027, ndërsa paralelisht po zhvillohet një sistem i ri ku bizneset nuk do të kontrollohen më në mënyrë të fragmentuar apo sipas dëshirës së punonjësve, por përmes një përzgjedhjeje të automatizuar.
Kryeinspektori theksoi se ky mekanizëm i ri do të përfshijë monitorimin e çdo inspektori me kamera inteligjente dhe regjistrime audio e video. Ai shtoi se institucioni do të shtrijë mbikëqyrjen edhe mbi gjobat e vendosura nga Tatimet, Policia e Shtetit dhe IMT-të në të gjithë vendin. Lidhur me marrëdhënien e punës, Sula sqaroi se nuk ka komunikuar me kryeministrin Edi Rama për çështjen e dorëheqjeve të drejtuesve, duke theksuar se është emëruar prej tij por se i ka bërë të qartë se nuk do të pranonte të qëndronte në detyrë nëse do të abuzonte me pushtetin.
“Jemi në kulmin e punës. Dje kam marrë një lajm të gëzuar. Në buxhetin e shtetit është parashikuar fondi që kam kërkuar unë dhe që e ka realizuar edhe kryeministri, që të gjithë inspektorët e shtetit të pajisen me uniformë. Sot janë pa uniformë: njëri e ke me Louis Vuitton, një me Hermès, një me Marsup. Kjo është e tmerrshme. Kështu do të jenë inspektorët! Ata duhet të jenë të identifikuar në rrugë. Kjo do t’i identifikojë ata. Në gjashtëmujorin e parë të vitit 2027 do të kemi përfunduar gjithçka, besoj. Kanë kaluar procedurat në AKSHI dhe po bëhet tenderimi për inspektimet, ku nuk do të ketë inspektime fragmentare. Te News24, për shembull, nuk do të përzgjidhen ato që do Dash Sula, por biznesi do të përzgjidhet përmes sistemit. Do të ketë një sistem ku do të përcaktohen bizneset,” u shpreh ai.
Më tej, ai shtoi: “Me sistemin e ri, Inspektorati do të rrisë transparencën, por edhe do të ulë korrupsionin. Kur më ftoi Rama në takim, më dha afat nëntë muaj që t’i përfundoja këto gjëra. Ne kemi dorëzuar brenda tre muajve të gjitha hallkat në AKSHI për të pasur një sistem të ri inspektimi. Çdo inspektor do të jetë i monitoruar me kamera inteligjente, smart. Çdo inspektim do të shoqërohet me prova. Do të kemi edhe zë, çdo gjë e xhiruar. Çdo subjekt, sipas fushave përkatëse, do të ketë mundësi që, përpara se të inspektohet, të kontrollojë në portalin tonë.”
Sula përmbylli deklaratën e tij duke thënë: “Do t’u jepet mundësia çdo qytetari që, kur sheh problematika dhe abuzime, të denoncojë, ndërsa ne të reagojmë në kohë rekord. Po na ‘mbysin’. Jemi përgjigjur dhe nuk bëhet fjalë për mungesë reagimi. Kur ngrihet pretendimi për një subjekt, ne ia përcjellim institucioneve. Pas dy javësh, për shembull, u kërkoj informacion se çfarë është bërë me rastin. Me ligjin që kemi për inspektimet do të marrim nën mbikëqyrje gjobat e Tatim-Taksave. E kemi marrë dhe po përmirësohemi nga ana ligjore, si dhe gjobat e automjeteve nga ana e Policisë së Shtetit, IMT-ve dhe bashkive në të gjithë Shqipërinë. Do të zgjerohemi. Nuk kam komunikuar për rastin në fjalë me Ramën sa i takon dorëheqjes. Ai më vuri në këtë detyrë, jam emëruar nga ai. I kam thënë: ‘Nëse Dash Sula kthehet në një bandit, një xhepist me bandën e vet aty, unë të jap duart!’”