Lajme Pozitive

Ekonomia

Politika

Reklamë - Faqja e artikullit (lart)

Trump: Nuk kam nxituar për të marrë një vendim mbi sulmet ndaj Iranit

Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi në një intervistë telefonike për Axios të hënën se nuk ka asnjë nxitim për të vendosur nëse do të rifillojë operacionet ushtarake kundër Iranit.

Pse ka rëndësi: Zgjedhjet e mesmandatit janë parë si një moment kthese për Trumpin sa i takket nisjes ose jo të një fushate masive bombardimesh për t'i dhënë fund konfliktit.

Megjithatë, kreu i Shtëpisë së Bardhë duket se, të paktën për momentin, do të ecë në dy pista paralele: duke lejuar që negociatat të ecin përpara, ndërkohë që përgatitet për luftë nëse arrin në përfundimin se një marrëveshje është e pamundur.

Çfarë po thotë ai: "Në një mënyrë apo tjetër, ne do të bëjmë diçka, por nuk ka nxitim. Ne i kemi gjymtuar financiarisht. Ata nuk kanë para, nuk kanë benzinë dhe njerëzit e tyre po lodhen shumë nga kjo situatë," u shpreh Trump në intervistë.

Zhvillimet e fundit: Ndërmjetësit kataranë kanë hartuar një projekt-marrëveshje që parashikon një sekuencë masash besimi tre-ditore, me qëllim rifillimin e bisedimeve direkte mes Shteteve e Bashkuara dhe Iranit, sipas burimeve rajonale.

Një diplomat i njohur me situatën tha se ndërmjetësit e Katarit po presin përgjigje nga SHBA-ja dhe Irani.

Trump po i jep një shans diplomacisë, por mbetet realist rreth mundësive për të arritur një marrëveshje.

"Ne jemi duke folur me ta. Po shkon mirë. Problemi me ta është se... ata përpiqen të na tërheqin zvarrë. Ka më pak urgjencë [nga pala iraniane] sesa mund të mendoni, por ata duan të bëjnë marrëveshje më shumë se kurrë më parë," tha Trump.

Prapaskena: Trump po shqyrton tri drejtime veprimi, të mbështetura nga tri kampe të ndryshme:

Arritja e një marrëveshjeje: Zëvendëspresidenti JD Vance dhe i dërguari i Shtëpisë së Bardhë Steve Witkoff po e shtyjnë atë drejt një marrëveshjeje, pasi një luftë e përtërirë mund të mos e ndryshojë situatën për mirë.

Shumica e vendeve të Gjirit e mbështesin këtë qëndrim dhe ia kanë komunikuar atë Trumpit, thonë burimet.

Rifillimi i betejës: Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu dëshiron të rinisë luftimet, ashtu si edhe Sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth. Ata argumentojnë se Iranit nuk i zihet besë për të bërë një marrëveshje e lëre më për ta zbatuar atë, dhe se Trump duhet ta përfundojë punën ushtarakisht.

Dëm ekonomik maksimal: Sekretari i Thesarit Scott Bessent, drejtori i CIA-s John Ratcliffe dhe Sekretari i Shtetit Marco Rubio po e këshillojnë Trumpin të ruajë status kuonë "pa luftë, pa marrëveshje" dhe të lejojë vazhdimin e fushatës së presionit ekonomik.

Ratcliffe i tha Trumpit se dhimbja ekonomike e zgjatur do ta detyrojë Iranin të bëjë më shumë lëshime — ose do të krijojë mjaftueshëm paqëndrueshmëri brenda vendit saqë qytetarët të ngrihen në revoltë, tha një burim me njohuri të drejtpërdrejta. CIA refuzoi të komentojë.

Pala tjetër: Udhëheqja civile e Iranit u shpreh me shpresë të hënën rreth perspektivës së arritjes së një marrëveshjeje.

Presidenti iranian Masoud Pezeshkian tha se Udhëheqësi Suprem Mojtaba Khamenei "i dha qeverisë kompetenca të caktuara" për të provuar arritjen e një marrëveshjeje përmes diplomacisë.

Ministri i Jashtëm iranian Abbas Araghchi deklaroi të hënën se shkëmbimet diplomatike "sjanë bërë shumë intensive".

"Katari dhe Pakistani po luajnë rol shumë aktiv si ndërmjetës. Ne kemi paraqitur kushtet dhe propozimin tonë, dhe gjithçka varet nga racionaliteti politik i Uashingtonit. Nëse ata zgjedhin diplomacinë e vërtetë, ne jemi gati të angazhohemi. Por nëse kanë ndërmend të përfshihen në mashtrime dhe operacione ushtarake, do të përballen me një përgjigje më të dhimbshme dhe më të ashpër se në të kaluarën," tha ai.

Araghchi u shpreh se nëse SHBA pranon kushtet e Teheranit për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, atëherë "negociatat do të rifillojnë".

"Përndryshe, situata aktuale do të vazhdojë dhe Irani nuk do të përulet," tha ai.

Pamja e gjerë: Rusia dhe Kina po luajnë një rol aktiv në përpjekjet për të arritur një marrëveshje.

Presidenti rus Vladimir Putin bisedoi në telefon të hënën me Sekretarin e Këshillit Suprem të Sigurisë Kombëtare të Iranit, gjeneralin Mohsen Rezaei. Të dy diskutuan përpjekjet për të arritur një marrëveshje diplomatike.

Rezaei, i cili është shumë pranë Khameneit, ishte gjithashtu marrësi i një letre që Vance dërgoi së fundmi ku propozonte rifillimin e negociatave.

Rusia ka ofruar gjithashtu të jetë pjesë e çdo marrëveshjeje bërthamore, përfshirë edhe marrjen e rezervave të uraniumit të pasuruar të Iranit.

Në të njëjtën kohë, zëvendësi i Rezaeit vizitoi Pekinin të hënën dhe u takua me ministrin e Jashtëm kinez. Kina po i bën gjithashtu thirrje SHBA-së dhe Iranit që të rifillojnë negociatat direkte për t'i dhënë fund luftës.

Reklamë - Faqja e artikullit (poshtë)