Kreu i Shërbimit Zjarrfikës të Elbasanit, Emirjon Sota, ka dhënë shpjegime rreth operacionit të vështirë të shpëtimit dhe evakuimit pas shpërthimit të bombolës së gazit në një pallat te lagjja “Qemal Stafa”, ngjarje ku humbën jetën dy banorë.
Sipas tij, përdorimi i autoshkallës rezultoi përcaktues për shpëtimin e personave që ndodheshin në katet e larta, ndërkohë që dy viktimat u gjetën nën rrënoja dhe vdiqën si pasojë e shpërthimit.
Alarmi për ngjarjen mbërriti në sallën operative rreth orës 14:30. Brigadat zjarrfikëse u nisën menjëherë drejt zonës së emergjencës, ku panë se zjarri kishte kapluar katin e tretë dhe të katërt të ndërtesës. Për shkak të përmasave të situatës, u kërkua ndihmë edhe nga njësitë vendore fqinje.
Strukturat e Policisë së Shtetit krijuan perimetrin e sigurisë, teksa vijonte evakuimi dhe shuarja e flakëve. Sota tregoi se gjatë aksionit u nxorën në vend të sigurt disa fëmijë dhe të moshuar, ndërsa ndërhyrja u shtri nga të dyja anët e pallatit për shkak të dëmtimit të shkallëve të brendshme.
“Është ndërhyrë me autoshkallë nga pjesa ballore, nga unaza. Janë transportuar të gjithë personat që ndodheshin në katet lart, në katin e katërt dhe të pestë”, deklaroi drejtori i zjarrfikëses, duke shtuar se mungesa e kësaj pajisjeje mund të kishte sjellë pasoja edhe më të rënda.
“Duke marrë shkas nga lloji i zjarrit, nga shpërthimi i fuqishëm, nga bllokimi i hyrjes së pallatit, pasojat ndoshta do të ishin më katastrofike”, u shpreh ai.
Lidhur me shkakun e humbjes së jetës të dy qytetarëve, Sota konfirmoi se ata nuk u dogjën nga zjarri, por u goditën nga forca e shpërthimit. “Të dy trupat e viktimave që janë gjetur brenda pallatit, janë gjetur nën rrënoja dhe kanë humbur jetën nga shpërthimi, jo nga zjarri”, sqaroi ai.
Duke iu përgjigjur pyetjeve për mjetet teknike, drejtori bëri me dije se bashkia zotëron gjithsej tetë automjete, ku përfshihen gjashtë makina zjarrfikëse me pompë centrifugale, një autobot dhe një autoshkallë.
Në fund, Sota mbrojti punën e efektivëve të angazhuar në terren, duke lartësuar përkushtimin e tyre. “Bashkia Elbasan disponon të gjitha mjetet për të tilla situata. Nuk mund t'i hedhim poshtë punën e gjithë atyre punonjësve që sakrifikuan jetën e tyre për të shpëtuar jetët e të tjerëve. Besoj se misionin e kryen”, përfundoi ai.