Lajme Pozitive

Ekonomia

Politika

Reklamë - Faqja e artikullit (lart)

Topalli sulmon buxhetin: Rama sheh pasqyrën, jo Shqipërinë! Opozita do të votojë kundër

Ligjvënësja demokrate Jozefina Topalli ka ashpërsuar tonet ndaj qeverisë gjತ debateve parlamentare për projektbuxhetin, duke denoncuar mungesën e kryeministrit dhe anëtarëve të kabinetit në sallë.

Gjatë fjalës së saj, ajo theksoi se në një moment kaq vendimtar financiar mungonin krerët e institucioneve, duke ngritur pyetjen se kujt duhet t'i drejtohej për sektorët kyç të vendit. Topalli e akuzoi ekzekutivin se manipulon realitetin dhe konfirmoi se opozita do të kundërshtojë me votë këtë projektligj, të cilin e etiketoi si një burim abuzimesh të mëdha. Ndër të tjera, ajo dënoi edhe masën ndëshkimore për përjashtimin e 15 deputetëve për një periudhë dymujore.

“Presupozohet se kur paraqitet buxheti, që është vendimi më i rëndësishëm financiar, këtu duhet të ishin të gjithë ministrat. Këtu iku kryeministri, kanë ikur ministrat, ka ngelur vetëm ai i shkreti. Dhe deputetët që kanë mbetur kanë ulur kokën.

Rama ngatërron Shqipërinë me pasqyrën. Ai shikon veten në pasqyrë dhe thotë se Shqipëria lulëzon. Ky është një problem shumë i rëndë, në fakt, se ju keni një talent të jashtëzakonshëm që çdo dështim ta quani sukses dhe çdo sukses ta merrni sikur është i juaji. Por Shqipëria është e kundërta e asaj që ju paraqitni.

Tani më thoni ju mua, kujt t’i drejtohem unë me pyetje për çështjet e arsimit, karriges që është bosh? Kë të pyes unë për çështjet e ekonomisë, karriges së ministres që është bosh? Kë të pyes unë për kulturën, për sportin, karrigen që është bosh?

Buxheti është i juaji, nuk është i joni. Ne do të votojmë kundër këtij buxheti. Ky buxheti më i madh ka brenda vjedhjen më të madhe që mund të imagjinohet.

Ju keni mbyllur sallën e Parlamentit për 15 deputetë për dy muaj, gjë që nuk ka ndodhur kurrë për 30 vjet. Nëse për buxhetin përgjegjësia është e këtyre, për mënyrën se si drejtohet Parlamenti, përgjegjësinë e keni ju.”, tha ajo

Reklamë - Faqja e artikullit (poshtë)