Pensionet e pamjaftueshme, mungesa e fuqisë punëtore dhe ekonomia që ofron vende pune me kualifikim të ulët detyrojnë të moshuarit shqiptarë të mbeten aktivë në tregun e punës më gjatë se kudo tjetër në rajon dhe Europë.
Statistikat e paraqitura nga Fondi Monetar Ndërkombëtar dëshmojnë se Shqipëria shënon shkallën më të lartë të angazhimit në punë për grupmoshën mbi 65 vjeç në të gjithë hapësirën rajonale, duke kapërcyer nivelin prej 25%, çka përbën mbi trefishin e mesatares së Bashkimit Europian. Vullneti i të moshuarve në vend për të siguruar të ardhura përmes punës rezulton dukshëm më i lartë krahasuar me pesë shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor.
Pas Shqipërisë, radhitet Serbia me rreth 10% të kësaj grupmoshe në punë, Mali i Zi me afro 8%, ndërsa mesatarja e Bashkimit Europian llogaritet rreth 7%. Më poshtë kësaj mesatareje pozicionohen Moldavia me rreth 6.5%–7%, Kosova me rreth 4%, Maqedonia e Veriut me pak mbi 3% dhe Bosnja e Hercegovina me rreth 3%.
Në ndryshim nga vendet e tjera ku përfshirja e punëtorëve në moshë të thyer shihet si mundësi për të shtuar krahun e punës për shkak të niveleve të ulëta, Shqipëria shfaq një profil tjetër demografik. Krahas këtij aktiviteti të lartë të të moshuarve, vendi ndeshet me vështirësi të dukshme te shtresat e reja të popullsisë.
Së bashku me Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut, Shqipëria regjistron përqindje të lartë të të rinjve që nuk punojnë, nuk arsimohen dhe nuk ndjekin trajnime, duke kaluar shifrën prej 20%. Ky tregues dëmton kapitalin njerëzor dhe ul prodhimtarinë e përgjithshme ekonomike.
Fondi Monetar Ndërkombëtar thekson se për të balancuar këto mangësi strukturore dhe për të përmbushur kriteret e anëtarësimit në BE, reformat duhet të orientohen nga lehtësimi i kalimit nga shkolla në punë dhe ngritja e cilësisë së kapitalit njerëzor. Kjo kërkon zgjerim të praktikave profesionale, bashkim të arsimit me punëdhënësit dhe orientim më të mirë në karrierë për të rinjtë.
Po ashtu, harmonizimi i ofertës me kërkesën për punë mbetet parësor për zhvillimin e produktivitetit, çka nënkupton forcimin e formimit profesional, ndryshimin e kurrikulave me theks te fushat STEM dhe zgjerimin e programeve të rikualifikimit për punonjësit në fazat e mesme dhe të vona të karrierës.