I ftuar në News24, juristi Indrit Sefa ka diskutuar lidhur me reformën zgjedhore dhe situatën politike në vend, duke theksuar se Partia Demokratike synon të ruajë monopolin e opozitës, ndërsa Partia Socialiste vendos pushtetin para integrimit.
Sefa tha se listat e hapura përbëjnë një domosdoshmëri për PD-në, pasi kjo forcë politike nuk njihet për organizim të mirëfilltë, por ka individë të spikatur e cilësorë që mund të dalin në pah.
Sipas tij, "PS nuk pranon asnjë reformë zgjedhore, që nuk i përshtatet asaj. Gjiknuri do PS-në dhe PD-në në politikë, nuk do forca të reja opozitare." Ai shtoi se kësaj kërkese PD i është përgjigjur pozitivisht, ndërsa socialistët dëshirojnë të mbajnë pushtetin me çdo kusht dhe nuk duan integrimin.
Duke u ndalur tek Asambleja e PS-së, Sefa u shpreh se ajo dëshmoi mungesën e demokracisë në partitë politike shqiptare. “Të gjitha partitë politike në Shqipëri janë të kryetarit, nuk ka demokraci. Këtu ka vetëm besnikëri dhe ka zbatim urdhrash. Rama u tha se këtu nuk ka fjalë kundër," u shpreh ai.
Lidhur me çështjen e Ballukut, Sefa theksoi se ajo do të përballet me drejtësinë dhe do të mbrojë akuzat e SPAK-ut me avokatët e saj, duke shtuar se nuk beson se kryeministri Rama e kontrollon Strukturën e Posaçme, pasi në të kundërt nuk do të lejonte arrestimin e bashkëpunëtorëve të tij.