Elisa Spiropali ka publikuar një reagim të ashpër në rrjetet sociale, duke përdorur metafora të forta për të përcjellë një mesazh, pas tensioneve në Asamblenë e Partisë Socialiste.
Spiropali shkruan se nuk ndikohet nga zhvillimet rreth saj dhe se nuk pranon mëshirë, duke vënë në dukje se për të ekzistuar është vetëm drejtësia. Ajo shprehet se ngjan me qeniet mitologjike të cilave nëse u presin një kokë, u dalin shtatë të tjera, ndërsa thekson se nuk pendohet dhe nuk gjunjëzohet kurrë.
Gjithashtu, ajo sulmon ashpër ata që i cilëson si hajdutë dhe manipulatorë që fshihen pas maskës së liberalëve dhe evropianëve, por që sipas saj janë tiranë. Ministrja e krahason karakterin e saj me kafshët dhe elementët e natyrës, duke thënë se ngul këmbë si mushka për atë që është e drejtë dhe se nuk tërhiqet.
Në fund të shkrimit, ajo shpreh dashurinë e saj të pafundme për Shqipërinë dhe shqiptarët kudo që ndodhen, duke mbyllur reagimin e saj me moton se gjithçka tjetër janë vetëm fjalë kafaneje.