Lajme Pozitive

Ekonomia

Politika

Reklamë - Faqja e artikullit (lart)

Në përmbyllje të vizitës së tij në Manastir për 118-vjetorin e Kongresit të Alfabetit, kryeministri Edi Rama u takua me studentë dhe përfaqësues universitarë nga Maqedonia e Veriut, ku u ndal te sfidat e kohës dhe rëndësia e mbrojtjes së gjuhës shqipe.

Gjatë fjalës së tij, duke iu referuar atmosferës aktuale dhe situatës së protestave, kreu i qeverisë u shpreh se duartrokitjet nga brezi i ri në këtë periudhë kanë një domethënie më të madhe për të.

“Të marrësh duartrokitje sot nga të rinjtë nuk është diçka që ndodh përditë për mua. Ju e dini këtë. Sepse ka gjithmonë të rinj që duartrokasin dhe që nuk duartrokasin, që entuziazmohen dhe që hidhërohen. Sot është një kohë e veçantë, sepse ata që duan të duartrokasin tremben nga ata që gjuajnë me gurë. Ata që duan të flasin tremben nga ata që nuk duan të flasin. Për shkak të kësaj specifike, të një kohe që është shumë kalimtare, duartrokitjet janë më të mirëpritura se zakonisht”, u shpreh Rama.

Më tej, kryeministri vuri theksin te rëndësia e gjuhës shqipe si themel i identitetit kombëtar, duke kujtuar sakrificat e figurave historike dhe të gjithë atyre që kontribuan për mbijetesën e saj ndër breza, përfshirë Parashqevi Qiriazin dhe Arbën Xhaferrin.

Ai paralajmëroi gjithashtu për rreziqet që i kanosen gjuhës shqipe nga teknologjia digjitale dhe ndikimi i gjuhës angleze, duke kritikuar shkurtimet në mesazhe dhe shpërfilljen e rregullave drejtshkrimore.

“Në një kohë kur gjuha shqipe është në një tjetër lloj kërcënimi, e kohës së re të teknologjisë digjitale. Kur më të rinjtë mësohen të shkruajnë me shkurtime, TKXH, KLM RRQ dhe harrojnë se fjalët në atë mënyrë dobësohen treten dhe gjuha e shkurtuar fillon e tkurret”, shtoi ai, duke bërë thirrje për një përpjekje të përbashkët në mbrojtje dhe pasurim të trashëgimisë gjuhësore.

Reklamë - Faqja e artikullit (poshtë)