Lajme Pozitive

Ekonomia

Politika

Reklamë - Faqja e artikullit (lart)

Rasti tragjik në Gjilan: 30 ditë paraburgim për të dyshuarin për vrasjen e rëndë

Gjykata Themelore në Gjilan ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh për B. D., i cili dyshohet për vrasje të rëndë dhe mbajtje të armës pa leje pas ngjarjes tragjike ku humbën jetën dy familjarë në fshatin Demiraj.

Vendimi u mor më 2 nëntor, pas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Gjilan, e cila po heton rrethanat e krimit të ndodhur një natë më parë. Bazuar në dyshimet e Prokurorisë, B. D. vrau djalin e tij, A. D., pas një përleshjeje fizike në shtëpinë e familjes në orët e para të 1 nëntorit.

Ndërkohë, hetimet kanë nxjerrë në pah edhe detaje të tjera tronditëse. Vajza e mitur, D. D., u gjet e pajetë në shtratin e babait të saj tashmë të ndjerë, A. D., duke shfaqur shenja dhune dhe njolla gjaku. Prokuroria dyshon se edhe vdekja e saj erdhi si pasojë e veprimeve të të atit.

Sipas njoftimit të gjykatës, gjyqtari i procedurës paraprake konstatoi se plotësohen kriteret ligjore për paraburgimin, duke theksuar se ekziston rreziku që i dyshuari të ndikojë te dëshmitarët dhe të koordinojë deklaratat nëse lihet i lirë.

Kjo masë prej një muaji paraburgim mund të apelohet nga palët në Gjykatën e Apelit të Kosovës.

Reklamë - Faqja e artikullit (poshtë)