Lajme Pozitive

Ekonomia

Politika

Reklamë - Faqja e artikullit (lart)

Raporti i KE-së, gazetari Toska: Çështja Balluku dhe liria e medias pengojnë integrimin evropian të vendit

Në një intervistë televizive, gazetari Almer Toska analizoi Raportin e Progresit të Komisionit Evropian, duke vënë në dukje se pavarësisht interesit të lartë të BE-së për zgjerimin, mungesa e pavarësisë së drejtësisë dhe problemet me lirinë e medias mbeten pengesa kryesore për Shqipërinë.

Toska bëri të theksuar se vendi ka përmbyllur katër kapituj negociatash, por dokumenti i KE-së evidenton shqetësime thelbësore lidhur me mosfunksionimin e plotë të drejtësisë dhe sulmet ndaj medias. Sipas tij, rasti i Belinda Ballukut dhe mosheqja e imunitetit të saj nga mazhoranca përbëjnë një shembull të qartë të pengimit të punës së SPAK-ut nga ana e politikës.

Gjatë bisedës, ai përmendi gjithashtu se mbrojtja e ofruar nga kryeministri Edi Rama dhe presionet ndaj pronarit të News24, Irfan Hysenbelliu, janë përfshirë shprehimisht në raport. Toska theksoi se pavarësisht ambicieve të qeverisë për të arritur anëtarësimin, ndërhyrjet e drejtpërdrejta të pushtetit mbi drejtësinë përbëjnë një nyjë kyçe që duhet zgjidhur.

“Duhet t’u themi shqiptarëve se ka një interes të jashtëzakonshëm nga BE-ja për të anëtarësuar Shqipërinë dhe Malin e Zi. Është interes i vendeve anëtare për të anëtarësuar këto dy vende që lagen nga deti Jon dhe Adriatik. Por fakti që këtë e kërkon BE-ja nuk do të thotë se Shqipëria nuk duhet të plotësojë kushtet. Janë mbyllur katër kapituj, konkretisht kapitujt 20, 26, 30 dhe 36. Marta Kos renditi disa nga shqetësimet e BE-së, si pavarësia e gjyqësorit dhe liria e medias. Ajo i përmendi këto si kritika që Shqipëria ende nuk i ka përmbushur. Reforma në drejtësi është një nga investimet më të mëdha të BE-së, por reforma nuk po jep rezultatet e pritshme në goditjen e korrupsionit në nivele të larta. Në raportin e Komisionit Evropian përmendet rasti i Ballukut, ku thuhet se PS-ja pengoi SPAK-un të kryente detyrën, duke mos i hequr imunitetin. Mbrojtja politike që Rama i bëri Ballukut është përmendur në raport. Po ashtu, edhe sulmi që i është bërë medias dhe pronarit të News24, zotit Hysenbelliu, vitet e fundit, është marrë si shembull në raport për problematikat që Shqipëria nuk i ka përmbushur. BE-ja e di se cilat janë shqetësimet e shqiptarëve, dhe një prej tyre është drejtësia. Në Shqipëri ka ndikim të pushtetit mbi drejtësinë, sidomos mbi SPAK-un, ku ndërhyrjet kryhen në mënyrë të drejtpërdrejtë nga PS-ja dhe zoti Rama. Rama ka nxitim për të kapur atë trofeun e hyrjes së vendit në BE, por ai është njeriu kryesor që ka penguar drejtësinë. Rasti Balluku e tregon të kundërtën e asaj që thotë Edi Rama. Por si mundet të anëtarësohet Shqipëria kur ka probleme me drejtësinë? Ka dosje pa fund! Rasti Balluku është një ndër nyjet e rëndësishme që, nëse zgjidhet, e çliron litarin e Shqipërisë dhe e çon drejt BE-së.”

Reklamë - Faqja e artikullit (poshtë)