Kryeministri Edi Rama është shprehur se dorëheqja e tij nuk mund të kushtëzohet nga manifestimet në sheshe, duke akuzuar protestuesit për ndikim të huaj.
Gjatë një konference për shtyp krahas ambasadores së Bashkimit Europian, Sofia Moreira de Sousa, kreu i qeverisë u ndal te përdorimi i molotovëve, gurëve dhe këngëve kërcënuese, të cilat sipas tij dëmtojnë rrugëtimin europian të vendit. Ai ritheksoi se synimi kryesor mbetet përfundimi i negociatave me BE-në brenda vitit 2027.
“Në asnjë rast dorëheqja e kryeministrit të zgjedhur demokratikisht dhe në kontratë me popullin nuk imponohet nga rruga. Në rastin tim ka edhe një specifikë tjetër, është raporti. Kilometri i fundit i negociatave është i ndarë në 1 mijë metra dhe çdo metër është i ndarë në 100 centimetra. Çdo centimetër do njeriun mbi kokë, do të bësh detyrën përkatëse, sepse këtu është e shkruar mbyllja e negociatave në 2027, objektiv ambicioz që arrihet duke u fokusuar çdo centimetër, jo të humbin mendjen pas këngëve kërcënuese, molotovëve, gurëve dhe agjendave që nuk kanë lidhje fare me këtë mision kombëtar”, u shpreh Rama.
Më tej, kryeministri përmendi ndërhyrjen e palëve të huaja, duke veçuar Iranin, dhe theksoi se ekzistojnë dëshmi për praninë e tyre në bulevard.
“Është e lehtë të bësh ironi me përfshirjen e aktorëve të huaj, por përfshirja e tyre në protestë është reale. Nuk isha unë apo një përfaqësues shqiptar, por një nga personalitetet e Francës që para pak ditësh tha shprehimisht që Shqipëria ka qenë pjesë e një lufte hibride. Nuk kam thënë kurrë që protestat i organizoi Irani, por duart e tij janë në bulevard dhe janë me fakte”, deklaroi ai.
Në fund, Rama shtoi se rrjetet digjitale iraniane janë përfshirë edhe në ngjarje të ngjashme në Paris.
“Çuditërisht, ushtria digjitale iraniane, e identifikuar si shumë aktive në shpërndarjen e videove me zogj, u shfaq aktive në goditjen që iu bë Parisit. Këto janë fakte”, shtoi kryeministri.