Lajme Pozitive

Ekonomia

Politika

Reklamë - Faqja e artikullit (lart)

Poli Hoxha kritikon SPAK: Për Ballukun kishte akuza të reja, duhej një masë shtrënguese

Gjatë një interviste televizive, gazetari Poli Hoxha analizoi dërgimin për gjykim të dosjes ndaj ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku, duke e cilësuar atë si figurën kryesore të një skeme që ka dëmtuar vendin.

Hoxha shprehu kritika ndaj kreut të SPAK, duke theksuar se qëndrimet e mbajtura rreth kërkesës për heqjen e imunitetit të Ballukut dhe vendimi i Kuvendit për të refuzuar arrestimin kanë ngritur dyshime. Sipas tij, organi i akuzës nuk duhej ta përdorte qëndrimin e mazhorancës si shkak për të hequr dorë nga ndjekja e mëtejshme e masave shtrënguese.

“SPAK-u nuk e detyron Kuvendi. Nëse i shtohet korrupsioni si akuzë, do të kërkohet përsëri, tha vetë kreu i SPAK-ut në Kuvend. Tani paska kapur edhe një nen që flet për zgjerimin. Aty nuk pati zgjerim të akuzave, pati shtim akuzash. Prokurorët shtuan pastrimin e parave dhe organizatën kriminale”, u shpreh Hoxha.

Gazetari shtoi se fokusi kryesor duhet të kishte qenë te mundësia për të kryer kontrolle personale, përfshirë telefonat, kompjuterët dhe banesën e ish-ministres, me qëllim sigurimin e provave shtesë.

“Gjëja kryesore për hetuesit është kontrolli personal, që përfshin telefonat, kompjuterët dhe kontrollin e banesës. SPAK-u ka gjetur ‘perla’ nga kontrollet personale të shumë njerëzve dhe këtë nuk e bëri. Mos e ço në burg, por duke mos përsëritur kërkesën ke penguar hetimin, duke mos mundësuar kontrollin personal”, deklaroi ai.

Hoxha kundërshtoi gjithashtu pretendimin se Balluku nuk paraqet rrezik largimi pasi nuk mban më detyrën ministrore, duke përmendur ndikimin e saj të vazhdueshëm politik dhe lidhjet me drejtues institucionesh kyçe.

“Ajo vërtet nuk është ministre, por a e pamë në krye të partisë në pushtet? Vetë lideri e mori si shembull. A është drejtuese politike e Fierit? A janë të gjithë bashkëpunëtorët e saj më të ngushtë, që kontrollojnë institucionet kryesore ku këto hetime kërkojnë dokumentacion dhe dëshmi? Si nuk mund të pengojë ajo hetimin, duke qenë ende në pushtet, gati absolut, edhe pse nuk është më ministre?”, tha Hoxha.

Më tej, gazetari solli në vëmendje çështjen e aeroportit të Vlorës, duke përmendur dëshminë e biznesmenit Behgjet Pacolli lidhur me një takim në zyrën e Ballukut ku merrte pjesë edhe një përfaqësues turk, dhe argumentoi se këto të dhëna mjaftojnë për të nisur verifikimet.

“Imagjino një ministre si i ndan përqindjet e koncesionit me një të ardhur nga Turqia. Thërret edhe palën tjetër. Ky i fundit mërzitet dhe i thotë: ‘Turku do ta rregullojë’. Ku është ministrja këtu? Ministre është kjo? Çfarë pune ka ajo?”, u shpreh gazetari.

Reklamë - Faqja e artikullit (poshtë)