Instituti i Ndërtimit ka dorëzuar dokumentin paraprak të vlerësimit për pallatin e dëmtuar nga shpërthimi dhe flakët në Elbasan, duke paralajmëruar për rrezikun e shembjes së disa pjesëve të pallatit.
Në konkluzionet e para, specialistët kërkojnë ndalimin urgjent të shfrytëzimit të godinës dhe ndalimin e hyrjes në të, derisa të përfundojë akt-ekspertiza e thelluar dhe të përcaktohet shkalla e sigurisë së strukturës.
Sipas dokumentit, plasmja dhe zjarri kanë dëmtuar rëndë pjesët mbajtëse dhe ato jo mbajtëse të ndërtesës, duke rrezikuar stabilitetin e saj.
Kryesisht, shqetësimi lidhet me soletën e katit të pestë, në zonën ku ndodhi shpërthimi, e cila sipas specialistëve mund të shembet në çdo çast.
Specialistët njoftojnë se situata paraqet rrezik serioz jo vetëm për banorët, por edhe për këdo që ndodhet brenda apo pranë saj.
Për këtë shkak, Instituti i Ndërtimit këshillon caktimin e një zone sigurie nga 20 deri në 30 metra, si dhe ndërmarrjen e hapave për të shmangur shkëputjen e pjesëve të dëmtuara.
Në dokument gjithashtu nënvizohet kërkesa për bashkëpunim me organet kompetente, me qëllim mbrojtjen e banorëve dhe qytetarëve përreth.
Përfundimet pëundimtare të ekspertizës pritet të qartësojnë përmasat e dëmit dhe sigurinë e pallatit, si dhe ndërhyrjet e nevojshme për të ardhmen.