Lajme Pozitive

Ekonomia

Politika

Reklamë - Faqja e artikullit (lart)

Ndikimi i zgjedhjeve të mesmandatit në SHBA te tensionet globale dhe marrëdhëniet ndërkombëtare

Zgjedhjet e mesmandatit në Shtetet e Bashkuara pritet të sjellin ndryshime përtej kufijve amerikanë, duke ndikuar te lidhjet e Uashingtonit me aleatët dhe kundërshtarët kryesorë. Kalimi i të dy dhomave të Kongresit nën kontrollin e demokratëve i sjell presidentit Donald Trump një dinamikë të re politike, ndërsa jashtë vendit shtohen pikëpyetjet mbi të ardhmen e diplomacisë amerikane.

Për Iranin, Izraelin dhe Ukrainën, ky rezultat nuk kufizohet te ekuilibrat e Kongresit, pasi mund të ndikojë te bisedimet me Teheranin, ndihma ushtarake për Izraelin dhe trysnia mbi Kievin që t'i japë fund konfliktit me Rusinë. Edhe pse demokratët do të kenë më tepër hapësirë për ta kundërshtuar administratën përmes Kongresit, kreu i Shtëpisë së Bardhë ruaj kompetenca kyçe në politikën e jashtme, duke lënë të hapur pyetjen nëse humbja elektorale do ta nxisë drejt kompromisit apo drejt forcimit të qëllimeve të tij.

Irani mes rrezikut ushtarak dhe mundësisë për pazar

Në Teheran, rezultati është cilësuar si një goditje ndaj kursit të Trumpit, ndonëse autoritetet iraniane nuk e shohin atë si garanci të ndryshimit të politikës amerikane. Vendi po bëhet gati si për një përshkallëzim ushtarak, ashtu edhe për rinisjen e dialogut.

Vetë Trump ka pranuar se konflikti me Iranin ndikoi te dështimi i republikanëve, ndërsa zëvendëspresidenti JD Vance e pohoi hapur se arsyeja e humbjes ishte lufta. Nga ana e tij, kryetari i Parlamentit iranian, Mohammad Bagher Ghalibaf, paralajmëroi Uashingtonin se shpërfillja e vullnetit të zgjedhësve amerikanë mund të sjellë pasoja.

Megjithatë, udhëheqja iraniane nuk beson te një kthesë e menjëhershme. Kërcënimi i sulmeve të reja vazhdon të jetë prezent, për shkak të qëndrimeve kontradiktore të Trumpit mbi një tjetër goditje ndaj Iranit. Në të njëjtën kohë, bisedimet po japin shenja ringjalljeje përmes ndërmjetësve të Katarit, ndërsa një pakt i përkohshëm për Ngushticën e Hormuzit duket më i mundshëm sesa një marrëveshje totale paqeje.

Marrëdhëniet SHBA-Izrael në udhëkryq

Në Izrael, rezultati zgjedhor ka ngritur shqetësime rreth perspektivës së lidhjeve me Uashingtonin, pasi mbështetja dypartiake po vihet në diskutim për shkak të luftës në Gaza dhe pakënaqësive me ndihmën amerikane.

Demokratët kanë kritikuar ashpër shifrat e viktimave palestineze, ndërsa edhe brenda radhëve republikane janë shtuar zërat kundër ndihmës pa kushte për qeverinë izraelite. Ish-ambasadori i Izraelit në SHBA, Michael Oren, e cilësoi gjendjen si mbylljen e një kapitulli, duke paralajmëruar ndryshime që mund të prekin bashkëpunimin në inteligjencë, sistemet e mbrojtjes si “Iron Dome” dhe qëndrimin në OKB.

Ndërkaq, kryeministri Benjamin Netanyahu po përballet me sfida të brendshme, pasi humbja e mazhorancës parlamentare ka shtuar paqëndrueshmërinë e kabinetit të tij, në një kohë kur raportet me SHBA-në ndodhen nën trysni.

Ukraina kërkon më shumë mbështetje nga Kongresi

Për Kievin, fitorja e demokratëve shihet si shans për të zgjeruar përkrahjen amerikane në përballjen kundër Rusisë. Presidenti Volodymyr Zelensky ka shprehur besimin se ndryshimi i forcave në Kongres do të sigurojë më tepër fonde dhe armatime, duke forcuar njëkohësisht boshtin SHBA-Evropë.

Marrëdhëniet mes Zelenskyt dhe Trumpit kanë qenë të ngarkuara, sidomos për shkak të trysnisë amerikane për pranimin e kushteve të Moskës, ndërsa Ukraina ka ndjerë pasiguri edhe te furnizimet me armatim dhe të dhënat e inteligjencës. Pavarësisht kësaj, kontrolli i ri në Kongres nuk e garanton automatikisht shtimin e ndihmës, pasi vendimet kryesore mbeten në dorë të presidentit.

Në Moskë, zhvillimet në Uashington ndiqen me vëmendje, ku Vladimir Putin mund ta shohë këtë fazë si dritare për të çuar përpara synimet ushtarake para se panorama politike amerikane të lëvizë sërish. Këto zgjedhje të mesmandatit jo vetëm reformojnë Kongresin, por hapin një periudhë dilemash për tri dosjet kryesore të diplomacisë amerikane: Iranin, Izraelin dhe Ukrainën.

Reklamë - Faqja e artikullit (poshtë)