Michael Sanft, mbrojtësi ligjor i Duane “Keffe D” Davis në procesin gjyqësor për vrasjen e artistit legjendar Tupac Shakur, është gjetur pa shenja jete në banesën e tij të premten, në moshën 55-vjeçare, siç raporton Las Vegas Review-Journal.
Narja nga jeta e avokatit nga Las Vegasi ndodhi vetëm pak javë pasi klienti i tij u shpall fajtor dhe u dënua me një masë dënimi prej 40 vitesh deri në burgim të përjetshëm për organizimin e të shtënat fatale të vitit 1996 që i morën jetën Shakurit. Artisti u qëllua për vdekje teksa ndodhej në sediljen e pasagjerit të një automjeti tip SUV, i drejtuar nga themeluesi i labelit diskografik, Marion “Suge” Knight. Për afro tridhjetë vite, kjo vrasje mbeti një nga ngjarjet më të bujshme e të pazgjidhura në Shtetet e Bashkuara, deri në arrestimin e Davis në vitin 2023. Ngjarja tragjike i dha fund jetës së njërit prej reperëve më me ndikim dhe sukses tregtar, duke thelluar gjithashtu imazhin e dhunshëm të kulturës hip-hop të atij dhjetëvjeçari dhe duke stimuluar rivalitetin historik të zhanrit “gangster rap” mes dy brigjeve, Lindor dhe Perëndimor.
Një juri vendosi dënimin e Davis pasi provoi se ai e kishte planifikuar sulmin si hakmarrje për një konflikt ku nipi i tij ishte dhunuar nga Shakur dhe shoqëruesit e tij brenda mjediseve të kazinosë MGM Grand në Las Vegas Strip, më 7 shtator 1996. Nga ana e tij, Davis është shprehur se do të ndjekë rrugën e apelimit kundër këtij vendimi. Autoritetet policore të Las Vegasit bënë të ditur se shkaqet e sakta të ngjarjes ende nuk janë zbardhur, por paraprakisht nuk dyshohet për ndonjë ngjarje kriminale.