Lajme Pozitive

Ekonomia

Politika

Reklamë - Faqja e artikullit (lart)

Franca konfirmon praninë në bisedimet e Abu Dhabit: Evropa nuk do të mënjanohet nga marrëveshja për Ukrainën

Vendet evropiane do të marrin pjesë në negociatat për luftën në Ukrainë, ndërsa Franca ka konfirmuar zyrtarisht dërgimin e një përfaqësuesi në takimin e Abu Dhabit.

Ministri i Jashtëm francez, Jean-Noël Barrot, në një intervistë për RTL dhe Public Sénat, bëri të ditur se shtetet evropiane siguruan përfshirjen e lor në këtë proces diplomatik pas kërkesave të vazhdueshme që të mos mbeten jashtë diskutimeve për sigurinë e kontinentit. Bisedimet janë parashikuar të zhvillohen më 10 dhe 11 nëntor, me ndërmjetësimin e Shteteve të Bashkuara dhe praninë e zyrtarëve nga Rusia dhe Ukraina.

“Evropianët do të përfaqësohen dhe Franca do të jetë në Abu Dhabi për të marrë pjesë në këto bisedime,” u shpreh Barrot, duke shtuar se emri i të dërguarit francez ende nuk është bërë i ditur publikisht.

Ky zhvillim vjen pasi takimi në Emiratet e Bashkuara Arabe ishte planifikuar fillimisht vetëm si një tryezë trepalëshe mes Uashingtonit, Moskës dhe Kievit, ndërkohë që presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky kishte kërkuar më herët mbështetjen e aleatëve evropianë për t'u bërë pjesë e tryezës.

“Në javët e fundit, evropianët kanë bërë që zëri i tyre të dëgjohet. Ata u kanë shpjeguar ndërmjetësve amerikanë se asnjë diskutim në lidhje me të ardhmen e këtij kontinenti nuk mund të injorojë pritshmëritë dhe kërkesat tona,” deklaroi kryediplomati francez.

Qëndrimi vjen gjithashtu në një kohë kur presidenti amerikan Donald Trump ka shprehur optimizëm pas takimit me të dërguarin rus Kirill Dmitriev, duke lënë të kuptohet se mund të arrihet një marrëveshje e gjerë që mund të përfshijë gjithë Evropën. Duke komentuar këto fjalë, ministri francez theksoi se asnjë pazar që prek arkitekturën e sigurisë evropiane nuk mund të ndërtohet pa pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë të vetë evropianëve.

Reklamë - Faqja e artikullit (poshtë)