Gjatë seancës paraprake për Nikoll Radaçin, i akuzuar për aksidentin e rëndë të 3 majit ku humbën jetën dy fëmijë në Durrës, është kërkuar pushimi i njërës prej akuzave penale ndaj tij.
Procesi u mbajt nën drejtimin e gjyqtarit Elvis Sulejmani. Gjatë shqyrtimit, u kërkuar që të hiqet akuza për “Drejtimi i mjetit në mënyrë të parregullt”, e parashikuar nga neni 291 i Kodit Penal, pasi sipas palëve kësaj vepre i aplikohet ligji nr. 57/2026 “Për amnistinë”.
Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës njoftoi se deri më tani janë mbajtur dy seanca për këtë çështje, përkatësisht më 2 dhe 10 nëntor. Takimi i radhës në gjykatë është caktuar për datën 16 nëntor, në orën 10:45.
Ngjarja e rëndë ndodhi në mesditën e 3 majit në lagjen nr.15 të qytetit bregdetar. Tre fëmijë po luanin me top në trotuar kur 57-vjeçari, i cili drejtonte automjetin në gjendje të dehur, humbi drejtimin e mjetit dhe goditi të miturit.
Si pasojë e përplasjes, jetën humbën dy fëmijët E.M., 12 vjeç dhe K.N., 10 vjeç, ndërsa fëmija tjetër 8-vjeçar mbeti i plagosur rëndë, por mbijetoi. Më parë ishte raportuar se drejtuesi i mjetit ishte denoncuar disa herë në polici nga banorët e lagjes dhe ishte ndëshkuar me gjobë nga Policia Rrugore për shkelje të sigurisë.