Lajme Pozitive

Ekonomia

Politika

Reklamë - Faqja e artikullit (lart)

Bozdo bën thirrje për bashkimin e opozitës dhe kandidatë të përbashkët në zgjedhje

Deputeti i Partisë Demokratike, Enno Bozdo, kërkon bashkimin e forcave opozitare dhe bashkëpunim me partitë e reja, duke sugjeruar krijimin e një tryeze të përbashkët për të dalë me kandidatë unikë.

Gjatë një interviste për “News24”, ku diskutoi për zhvillimet politike, protestat dhe reformën zgjedhore, ligjvënësi demokrat u ndal te domosdoshmëria e rikthimit të koalicioneve. Ai vuri në dukje se Partia Demokratike kërkon zgjidhjen e çështjeve që dëmtojnë procesin zgjedhor, duke përmendur angazhimin e grupeve kriminale, presionin mbi zgjedhësit dhe komisionerët, blerjen e votës, si dhe shkrirjen e kufijve mes shtetit dhe forcës politike në pushtet.

Bozdo akuzoi mazhorancën për mungesë vullneti në ndryshimin e këtyre fenomeneve, ndërsa shtoi se PD është e hapur të shqyrtojë edhe idetë e formacioneve më të vogla lidhur me sistemin zgjedhor. Duke vlerësuar situatën aktuale, ai theksoi se opozita duhet të lërë mënjanë përçarjet.

“Ka çështje të mëdha që prekin drejtpërdrejt rezultatin e zgjedhjeve dhe asnjë palë nuk mund të hyjë në një betejë të barabartë kur këto nuk adresohen. PD ka kërkuar kthimin e koalicioneve. Nëse do të vazhdojë përdorimi i bandave, trysnia ndaj komisionerëve dhe votuesve, paratë për blerjen e votës, si dhe zhdukja e kufirit midis shtetit dhe partisë, sigurisht që rezultatet dalin të deformuara. Deri tani, PS nuk do që t’u hyjë këtyre çështjeve dhe është qartësisht për të mos ndryshuar asgjë. PS i ka ato mandate me krim, me korrupsion. PD u qëndron këtyre dy grupeve të propozimeve që do të artikulohen,” u shpreh ai.

Më tej, deputeti shtoi se forcat opozitare duhet të tregojnë gatishmëri për të lëshuar pe me qëllim krijimin e një fronti të përbashkët kundër sistemit aktual.

“PD është e votuar për të qenë në Parlament dhe për të ngritur zërin e qytetarëve. Nëse ka vullnet, ne shkojmë menjëherë, brenda 24 orëve, për t’u dhënë drejtim këtyre shqetësimeve. PD përfaqëson elektoratin e saj dhe një pjesë shumë të madhe të shoqërisë shqiptare. E keqja që kemi përballë është shumë e madhe, është futur në sistem. Dhe për ta çrrënjosur, ne duhet të bëjmë hapa mbrapa, që të bashkojmë të gjithë frontin opozitar. Partive opozitare më të vogla u kemi thënë: propozoni çfarëdolloj sistemi dhe ne do t’ju mbështesim,” tha Bozdo.

Në mbyllje të fjalës së tij, ai theksoi rëndësinë e dialogut dhe të daljes me emra të përbashkët përballë mazhorancës.

“Ne duhet të ulemi, të flasim dhe të dalim me kandidatë të përbashkët. Shanset janë shumë të mëdha nëse ne bashkëpunojmë. Kur vjen puna te përballja, është çasti të bashkojmë forcat,” deklaroi ai.

Reklamë - Faqja e artikullit (poshtë)