Lajme Pozitive

Ekonomia

Politika

Reklamë - Faqja e artikullit (lart)

Kreu i BSH-së, Gent Sejko pret zyrtarin e BQE-së, Piero Cipollone: Theksohet bashkëpunimi për integrimin financiar me BE

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, zhvilloi një takim me Piero Cipollone, anëtar i Bordit Ekzekutiv të Bankës Qendrore Evropiane, me rastin e pjesëmarrjes së këtij të fundit në konferencën ndërkombëtare për skemat e pagesave në vendin tonë.

Kreu i BSH-së shprehu mirënjohjen ndaj z. Cipollone për vizitën dhe bashkëpunimin ndërinstitucional, duke vlerësuar BQE-në si një model suksesi dhe partner kyç në rrugën e integrimit evropian të Shqipërisë. Gjatë bisedës, ai vuri në dukje përkushtimin për përafrimin e legjislacionit vendas me atë të Bashkimit Evropian, duke e cilësuar këtë proces si prioritet për ndërtimin e një sistemi financiar të qëndrueshëm.

Sejko prezantoi gjithashtu ecurinë e ekonomisë shqiptare, e cila vijon të shfaqë reziliencë falë konsumit, investimeve, turizmit dhe sektorit bankar, ndërkohë që inflacioni është rikthyer pranë shifrave të synuara. Vëmendje e veçantë iu kushtua projekteve të modernizimit të infrastrukturës së pagesave, ku u përmendën anëtarësimi në SEPA dhe zbatimi i nismës TIPS Clone për pagesa të menjëhershme.

Nga ana e tij, z. Cipollone përshëndeti hapat e ndërmarrë nga Banka e Shqipërisë në modernizimin e tregut dhe rritjen e standardeve. Ai theksoi gjithashtu se pavarësia e bankës qendrore është një kusht i domosdoshëm për ruajtjen e stabilitetit dhe besimit publik, duke përmendur vlerësimin pozitiv të Komisionit Evropian për ligjin e ri të BSH-së.

Reklamë - Faqja e artikullit (poshtë)