Deputeti i Partisë Demokratike, Saimir Korreshi, ka hedhur dyshime mbi fjalët e komisioneres europiane për Zgjerimin, Marta Kos, duke pyetur se për çfarë dialogu bëhet fjalë kur situata në vend mbetet problematike. I ftuar në emisionin “Minuta e Parë”, ai u shpreh se zyrtarja e BE-së nuk ka trajtuar çështjet kyçe për Shqipërinë, duke përfshirë akuzat ndaj Belinda Ballukut dhe gjendjen ekonomike të qytetarëve.
Sipas Korreshit, Kos ka shmangur çështje thelbësore si dëmet e pretenduara në buxhetin e shtetit, ndërkohë që qytetarët e thjeshtë përballen me masa të rënda. Ai gjithashtu vuri në dukje mungesën e reagimit për dhunën ndaj protestuesve dhe kërcënimet ndaj Erion Veliajt, duke shtuar se vendimmarrja në vend është e përqendruar te kryeministri Edi Rama.
Saimir Korreshi:
“Shoqja Kos nuk citon që Balluku, me 1 miliard euro dëme ndaj buxhetit të shtetit, me vila e apartamente, rri e lirë, ndërsa një që ndërton çati është në burg.
Nuk përmend faktin se çfarë ndodhi me Veliajn apo kërcënimet ndaj tij, për të cilat nuk u fol nga asnjë faktor i drejtësisë. As për ata që dhunuan protestuesit me shkopinj gome, shoqja Kos nuk tha asgjë.
Nuk foli as për faktin se njerëzit këtu ende e llogarisin bukën me ndihmën ekonomike që marrin. Nuk u del as për të blerë një bukë në ditë. De facto, nuk kisha ndonjë shpresë se mund të thoshte diçka.
Çfarë dialogu mund të ketë kur çdo gjë këtu vendoset sipas asaj që do komandanti? Këtu edhe presidenti është si portier që hap e mbyll derën. Për çfarë po flet shoqja Kos?”