Kontrolli i Lartë i Shtetit ka zbuluar një sërë shkeljesh në raportin për zbatimin e buxhetit të shtetit për vitin 2025, duke konstatuar një dëm ekonomik dhe financiar prej rreth 135 milionë eurosh.
Sipas aneksit të raportit, auditimet kanë evidentuar 171.9 milionë lekë dëm ekonomik dhe 12.3 miliardë lekë efekte financiare negative, të cilat në total arrijnë në rreth 12.5 miliardë lekë. Për shkak të mospërputhjeve me kërkesat ligjore, KLSH ka dhënë një konkluzion të kualifikuar për zbatimin e buxhetit, duke vënë në dukje probleme në planifikim, ekzekutim dhe raportim.
Në fushën e investimeve publike, KLSH ka konstatuar se në 44 raste janë nisur prokurime me vlerë 16.8 miliardë lekë, ndonëse fondet në dispozicion ishin më të ulëta. Gjithashtu, në 39 projekte janë marrë angazhime financiare që tejkalonin fondet e miratuara me 4.28 miliardë lekë. Për tri projekte me parapagime totale prej 1.15 miliardë lekësh, nuk është gjetur dokumentacioni që i trajtonte si raste me rëndësi të veçantë. Për dy prej tyre, me vlerë 841.7 milionë lekë, mungonte miratimi paraprak i Ministrit të Financave, ndërsa parapagimet arritën në 20% të vlerës së kontratës, nga kufiri prej 10%.
Gjatë vitit 2025 janë çelur fonde investimi prej 5.26 miliardë lekësh pa u detajuar në projekte konkrete. Ndërkohë, 32 kontrata të viteve të mëparshme nuk kishin fonde në buxhetin fillestar, dhe u shtuan 17 projekte me vlerë 2.45 miliardë lekë që nuk ishin pjesë e Programit Buxhetor Afatmesëm. Në fund të vitit, 188 projekte me fonde 3.59 miliardë lekë nuk patën asnjë realizim, ndërsa shpenzimet kapitale rezultuan 25.45 miliardë lekë më pak se plani përfundimtar, kryesisht për shkak të vonesave në projekte me financim të huaj, ku vetëm investimet e huaja ishin 15.83 miliardë lekë nën parashikim.
Buxheti i vitit 2025 u ndryshua vazhdimisht, ku në sistemin financiar u regjistruan 28,412 ndryshime përmes 3,106 rishikimeve të veçanta, me rreth 17% të tyre në dhjetor. Ndryshimet përfshinin Aktin Normativ nr. 11 të miratuar më 19 dhjetor 2025, ndërsa plani u rishikua deri në shkurt 2026. Sistemi Informatik Financiar i Qeverisë mbeti pa mirëmbajtje pas tetorit 2025, duke bërë që një pjesë e ekzekutimit të vijonte me dorëzim fizik në Thesar. 748 njësi shpenzuese dorëzuan jashtë afatit 25,793 fatura me vlerë 64.24 miliardë lekë, ndërsa u regjistruan jashtë afatit pesëditor 5,868 kontrata me vlerë 119.55 miliardë lekë, si dhe kontrata me vlerë 25.24 miliardë lekë të lidhura pas 15 tetorit 2025. Në 40 raste me faturë 3.26 miliardë lekë nuk u respektua radha kronologjike e pagesave.
Borxhi tatimor në fund të vitit 2025 arriti në 194.43 miliardë lekë, me një rritje prej 31.9 miliardë lekësh ose 19.6%, ku rreth 60% e tij është më e vjetër se pesë vjet. Borxhi doganor shkoi në 61.83 miliardë lekë, duke u shtuar me 12.71 miliardë lekë ose 25.9%, me 77% të detyrimeve më të vjetra se pesë vjet. Totali i detyrimeve ndaj tatimeve dhe doganave arriti në 256.27 miliardë lekë, me një rritje prej 44.61 miliardë lekësh. Gjithashtu, kishte 793 kontrolle tatimore të papërfunduara, 280 raste të kalimit të afatit 60-ditor për rimbursimin e TVSH-së dhe 160 raste të shkeljes së radhës kronologjike.
Përqendrimi i pagesave në dhjetor 2025 solli shpenzime prej 162.54 miliardë lekësh, ose 20.3% të totalit vjetor. Gjatë këtij muaji u shlyen 14.96 miliardë lekë për investime kapitale dhe 8.9 miliardë lekë për shpenzime operative nga janari në nëntor, si dhe 955 milionë lekë fatura të mbartura. Kjo solli kalimin nga një suficit prej 49.12 miliardë lekësh në periudhën janar–nëntor në një deficit prej 96.21 miliardë lekësh vetëm në dhjetor, duke e mbyllur vitin me deficit vjetor prej 47.09 miliardë lekësh. Auditimi zbuloi gjithashtu se te shpenzimet e përgjithshme u përfshi një transfertë prej 16.59 miliardë lekësh për Fondin e Pensioneve që nuk konsiderohet shpenzim buxhetor.